Secondary Adv

Çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rritën pesë herë më shpejt se në BE

Çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Shqipëri u rritën me 3.2 për qind në korrik 2026 krahasuar me një vit më parë, një ritëm rreth pesë herë më i lartë se mesatarja prej 0.6 për qind e Bashkimit Europian.

Sipas të dhënave të Eurostat, rënia e fortë e euros gjatë verës, që teorikisht duhet të ndihmonte në uljen e kostos së produkteve të importuara, nuk është reflektuar në një ngadalësim të çmimeve të ushqimeve. Në Shqipëri, norma vjetore e rritjes u përshpejtua nga 2.9 për qind në qershor në 3.2 për qind në korrik, ndërsa në BE u ngadalësua nga 1 për qind në 0.6 për qind.


Shqipëria renditej e pesta mes 36 vendeve europiane për normën më të lartë të inflacionit të ushqimeve. Rritje më të lartë kishin vetëm Turqia me 37.6 për qind, Rumania me 4.6 për qind, Qipro me 4.5 për qind dhe Islanda me 4.4 për qind.


Ushqimet dhanë gati një të tretën e inflacionit

Inflacioni i përgjithshëm i harmonizuar në Shqipëri arriti në 3.4 për qind në korrik, nga 3.2 për qind në qershor. Ushqimet dhe pijet joalkoolike dhanë kontributin më të madh, me 1.09 pikë përqindje, ose gati një të tretën e rritjes së përgjithshme të çmimeve. Sipas INSTAT, ushqimet përbëjnë 34.46 për qind të shportës që përdoret për llogaritjen e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit.


Në Bashkimin Europian, inflacioni i përgjithshëm ishte 3 për qind në korrik, vetëm 0.4 pikë përqindje më i ulët se në Shqipëri. Megjithatë, diferenca te ushqimet ishte dukshëm më e madhe, duke treguar se presioni mbi çmimet në Shqipëri është më i përqendruar te produktet bazë të konsumit.


Shqipëria me rritjen më të lartë në Ballkanin Perëndimor

Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria kishte normën më të lartë të rritjes vjetore të çmimeve të ushqimeve në korrik 2026. Pas saj renditej Kosova me 2.7 për qind dhe Mali i Zi me 2.3 për qind. Në të kundërt, çmimet e ushqimeve në Serbi ishin 5.6 për qind më të ulëta se në korrik 2025, ndërsa në Maqedoninë e Veriut rënia ishte 0.3 për qind.


Gjatë vitit 2026, Shqipëria ka regjistruar çdo muaj rritje të çmimeve të ushqimeve më të lartë se mesatarja e BE-së. Edhe në krahasim me vendet e afërta anëtare të Bashkimit Europian, rritja ishte më e lartë: në Bullgari ushqimet u shtrenjtuan me 1.2 për qind, ndërsa në Kroaci dhe Greqi çmimet ranë përkatësisht me 0.1 dhe 0.4 për qind.


Ushqimet në Shqipëri më të shtrenjta se mesatarja e BE-së

Sipas të dhënave të Eurostat, niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri arriti në 102.9 për qind të mesatares së BE-së në vitin 2025, nga 99.6 për qind një vit më parë. Kjo do të thotë se një shportë ushqimore që kushton mesatarisht 100 euro në BE, në Shqipëri kushton rreth 103 euro, e matur sipas fuqisë blerëse.


Në të njëjtën kohë, të ardhurat për frymë të shqiptarëve mbeten në vetëm 43 për qind të mesatares europiane, ndërsa konsumi individual për frymë arrin në 48 për qind. Diferenca mes nivelit të çmimeve dhe të ardhurave bën që familjet shqiptare të përballen me një barrë më të lartë për produktet bazë, pavarësisht se vendi ka një peshë të konsiderueshme të bujqësisë në ekonomi.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat