Rritet me 28 për qind fondi për barnat e rimbursueshme, lista zgjerohet me 20 ilaçe në 2027
Fondi për rimbursimin e barnave pritet të arrijë në 17.28 miliardë lekë në vitin 2027, me një rritje prej 28 për qind krahasuar me këtë vit.
Paralelisht, Lista e Barnave të Rimbursueshme parashikohet të zgjerohet me 20 medikamente të reja.
Sipas Programit Buxhetor Afatmesëm 2027–2029 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, financimi për pacientët e trajtuar me receta me rimbursim do të rritet nga 13.5 miliardë lekë në vitin 2026 në 17.28 miliardë lekë në 2027. Shtesa prej rreth 3.78 miliardë lekësh është ndjeshëm më e lartë se rritja e këtij viti, kur fondi u zgjerua me 900 milionë lekë, ose rreth 7 për qind, krahasuar me vitin 2025.
Financimi parashikohet të vijojë rritjen edhe në vitet pasuese, por me ritme më të ngadalta. Në vitin 2028 fondi pritet të arrijë në 18.23 miliardë lekë, rreth 5.5 për qind më shumë se në 2027, ndërsa për vitin 2029 parashikohet në 18.81 miliardë lekë, me një rritje të mëtejshme prej 3.2 për qind.
50 barna të tjera në listë deri në vitin 2029
Krahas rritjes së financimit, dokumenti parashikon zgjerimin gradual të Listës së Barnave të Rimbursueshme. Nga 1,356 barna në vitin 2026, lista pritet të arrijë në 1,376 në 2027, në 1,396 në 2028 dhe në 1,406 në vitin 2029. Në total, gjatë tre viteve të ardhshme parashikohet shtimi i rreth 50 barnave.
Numri i pacientëve të financuar përmes skemës parashikohet të mbetet në rreth 400 mijë në vit gjatë periudhës 2027–2029. Ndërkohë, financimi mesatar buxhetor për pacient rritet nga rreth 33,750 lekë në vitin 2026 në afërsisht 43,200 lekë në 2027 dhe rreth 47 mijë lekë në vitin 2029.
Këto vlera përfaqësojnë raportin mes fondit total dhe numrit të pacientëve dhe jo shumën individuale të rimbursimit që përfiton çdo pacient, e cila ndryshon në varësi të diagnozës dhe barnave të përdorura.
Me rritjen e parashikuar, fondi për barnat e rimbursueshme në vitin 2027 do të jetë rreth 49 për qind më i lartë se në vitin 2025, kur financimi ishte 12.6 miliardë lekë. Megjithatë, nevojat për medikamente mbeten të larta në kushtet e plakjes së popullsisë dhe rritjes së barrës së sëmundjeve.