Secondary Adv

Rritja e kredisë për shtëpi nis të ngadalësohet, huadhënia bie në gjysmën e parë të 2026

Kreditimi për blerjen e banesave ka nisur të ngadalësohet pas disa vitesh rritjeje të fortë.

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, bankat dhanë 34.9 miliardë lekë kredi për shtëpi, 3.7 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Financimi bankar vijon të mbështesë një pjesë të konsiderueshme të transaksioneve në tregun e pasurive të paluajtshme. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, në gjysmën e dytë të vitit 2025 rreth 61 për qind e pronave për banim dhe përdorim tregtar të shitura nga subjektet e vrojtuara janë blerë me kredi bankare. Në 38 për qind të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60 për qind të vlerës së pronës.


Viti 2025 shënoi të shtatin vit radhazi të rritjes së kredisë për shtëpi. Kredia e re për blerjen e banesave arriti rekordin historik prej 64.4 miliardë lekësh, ose rreth 658 milionë euro, duke u rritur me 17.3 për qind krahasuar me vitin 2024. Në fund të vitit, portofoli aktiv i kredisë për shtëpi arriti në 243.6 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 16.7 për qind.


Kreditimi ngadalësohet në vitin 2026

Nga fillimi i këtij viti, tendenca ka ndryshuar. Për gjashtëmujorin e parë të 2026, sektori bankar dha 34.9 miliardë lekë kredi për blerje banesash, 3.7 për qind më pak në terma vjetorë. Njëkohësisht, rritja vjetore e tepricës së portofolit u ngadalësua në 12.5 për qind, nga 16.7 për qind në fund të vitit 2025.


Sipas ekspertëve të sektorit bankar, ngadalësimi mund të lidhet me masat kufizuese të Bankës së Shqipërisë për kreditë e blerjes së banesave, por edhe me një qasje më të kujdesshme të bankave për shkak të shqetësimeve mbi mbinxehjen e tregut të pasurive të paluajtshme.


Kufizimet për kreditë e shtëpive

Prej korrikut 2025 kanë hyrë në fuqi kufijtë për raportin e kredisë ndaj vlerës së pronës dhe raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave. Për kreditë në lekë, banka mund të financojë deri në 85 për qind të vlerës për shtëpinë e parë dhe 80 për qind për shtëpinë e dytë. Për kreditë në valutë të huaj, kufijtë janë përkatësisht 75 dhe 70 për qind.


Edhe këstet e kredisë janë kufizuar në raport me të ardhurat e huamarrësit. Për kreditë në lekë, shërbimi i borxhit mund të arrijë deri në 40 për qind të të ardhurave për shtëpinë e parë dhe 35 për qind për të dytën. Në valutë të huaj, kufijtë janë 35 për qind për shtëpinë e parë dhe 30 për qind për të dytën.


Sipas Bankës së Shqipërisë, këto masa synojnë të ulin rrezikun e dështimit të kredimarrësve dhe humbjet e mundshme të bankave në rast të zhvillimeve të pafavorshme, si rënia e çmimeve të pronave, rritja e papunësisë, ulja e të ardhurave apo rritja e normave të interesit. Vendimi përfshin gjithashtu një rekomandim për afatin maksimal të maturimit të kredive për pasuri të paluajtshme rezidenciale.


Banka e Shqipërisë kishte paralajmëruar për rritjen e shpejtë

Shqetësimet për ritmet e larta të kreditimit të tregut të banesave ishin shprehur nga Banka e Shqipërisë që në vitin 2024. Fillimisht, rreziku u adresua edhe nëpërmjet shtesës kundërciklike të kapitalit për sektorin bankar, e vendosur në nivelin 0.25 për qind për zbatim nga 30 qershori 2025 dhe e rritur më pas në 0.5 për qind, me zbatim nga 31 dhjetori 2025.


Pas disa vitesh kur kredia bankare ka mbështetur fuqishëm kërkesën dhe rritjen e çmimeve të pronave, të dhënat e gjysmës së parë të vitit 2026 tregojnë sinjalet e para të një ngadalësimi të financimit për blerjen e banesave.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat