Hekurudhat, standardet europiane kërkojnë shpejtësi deri në 160 km/orë
Shqipërisë do t’i duhet të rrisë ndjeshëm standardet teknike të një pjese të rrjetit hekurudhor për t’iu përshtatur kërkesave të reja TEN-T.
Në korridoret prioritare, infrastruktura për pasagjerët duhet të projektohet për shpejtësi të paktën 160 km/orë, ndërsa linjat e mallrave duhet të përballojnë trena me gjatësi të paktën 740 metra.
Kërkesat janë pjesë e rregullores së re për zhvillimin e rrjetit trans-europian të transportit, të miratuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të botuar më 27 gusht në Fletoren Zyrtare. Standardi prej 160 km/orë nuk zbatohet automatikisht për të gjithë rrjetin hekurudhor. Për seksionet që lidhin nyjet multimodale të pasagjerëve të dy nyjeve urbane, ose një nyje urbane me një pikë kalimi kufitar, mbi 75 për qind e gjatësisë së çdo seksioni duhet të projektohet për shpejtësi të paktën 160 km/orë për trenat e pasagjerëve.
Për rrjetin kryesor të zgjeruar, afati për arritjen e këtij standardi është 31 dhjetor 2040. Pragu është më i lartë se parametrat e disa projekteve që Shqipëria po zhvillon aktualisht. Linja Tiranë–Rinas–Durrës është projektuar për shpejtësi rreth 100–120 km/orë, ndërsa rehabilitimi i linjës Vorë–Hani i Hotit synon gjithashtu shpejtësi 100–120 km/orë.
Kjo nuk nënkupton automatikisht se këto linja duhet të rindërtohen për të arritur 160 km/orë. Detyrimi varet nga klasifikimi konkret i seksionit në rrjetin kryesor ose kryesor të zgjeruar dhe nëse ai përfshihet në kategorinë e lidhjeve të përcaktuara nga rregullorja. Megjithatë, standardi tregon nivelin drejt të cilit duhet të orientohen në afat të gjatë korridoret prioritare të pasagjerëve.
Trenat e mallrave deri në 740 metra
Kërkesa të reja parashikohen edhe për transportin e mallrave. Për seksionet që lidhin terminalet multimodale të mallrave të dy nyjeve urbane, ose një terminal të një nyjeje urbane me një pikë kalimi kufitar, mbi 75 për qind e gjatësisë së seksionit duhet të projektohet për shpejtësi të paktën 100 km/orë për trenat e mallrave në rrjetin kryesor të zgjeruar.
Infrastruktura duhet të mundësojë gjithashtu, pa leje të posaçme, funksionimin e trenave të mallrave me gjatësi të paktën 740 metra, përfshirë lokomotivën. Për rrjetin kryesor të mallrave këto kërkesa duhet të përmbushen deri më 31 dhjetor 2030, ndërsa për rrjetin kryesor të zgjeruar afati është 31 dhjetor 2040.
Në linjat me dy binarë të rrjetit kryesor të zgjeruar duhet të jetë e mundur të caktohet të paktën një itinerar për tren 740 metra çdo dy orë dhe për çdo drejtim, me jo më pak se 24 kalime në ditë. Në linjat me një binar kërkohet të paktën një itinerar çdo tre orë dhe për çdo drejtim, me jo më pak se 12 kalime në ditë, kur kjo kërkohet nga një sipërmarrje hekurudhore.
Elektrifikimi i rrjetit deri në vitin 2050
Standardet shtrihen edhe në objektivat afatgjata për të gjithë rrjetin. Deri më 31 dhjetor 2050, infrastruktura hekurudhore e rrjetit gjithëpërfshirës duhet të jetë plotësisht e elektrifikuar në linjat kryesore dhe, kur është e nevojshme për funksionimin e trenave elektrikë, edhe në linjat anësore.
Rrjeti duhet të mundësojë gjithashtu një ngarkesë aksi prej të paktën 22.5 tonësh dhe, në linjat ku zbatohet kërkesa, qarkullimin e trenave të mallrave me gjatësi 740 metra. Kërkesat e reja përcaktojnë kështu standardet teknike drejt të cilave duhet të përshtatet gradualisht infrastruktura hekurudhore shqiptare.