Një e pesta e ekonomisë për tu ushqyer, Shqipëria rekord në Europë për qumësht, vaj e zarzavate
Shpenzimet për ushqime arritën në 20.4% të PBB-së në 2025, mbi tri herë më shumë se mesatarja e BE-së.
Shqipëria kishte në vitin 2025 peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime në raport me ekonominë në Europë. Shpenzimet nominale për ushqime ishin sa 20.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ose rreth një e pesta e ekonomisë, kundrejt vetëm 6.2% që ishte mesatarja e Bashkimit Europian. Në vlerë, sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria shpenzon 5.1 miliardë euro për ushqime.
Edhe krahasimi rajonal tregon një diferencë të dukshme. Në Malin e Zi, shpenzimet për ushqime ishin sa 19.9% e PBB-së, në Bosnjë-Hercegovinë 19.1%, në Maqedoninë e Veriut 17.9% dhe në Serbi vetëm 12.8%. Pesha kaq e lartë lidhet në radhë të parë me nivelin e ulët të të ardhurave. Për familjet me të ardhura më të kufizuara, pjesa më e madhe e buxhetit përqendrohet te nevojat bazë dhe ushqimi është ndër të parat. Në vendet me të ardhura më të larta, pasi plotësohen nevojat për ushqim, një pjesë shumë më e madhe e të ardhurave mbetet për strehim, transport, shëndetësi, arsim, kulturë, argëtim dhe kursime.
Shqipëria ka konsum individual për frymë, të matur sipas fuqisë blerëse, sa 48% e mesatares së BE-së, ndërsa të ardhurat për frymë janë vetëm 43% e mesatares europiane. Megjithatë, shpenzimet për ushqime në raport me ekonominë janë mbi tri herë më të larta se në BE.
Shqipëria kryeson Europën për peshën e shpenzimeve për bulmet
E parë në detaje, Shqipëria ka peshë të lartë të disa prej produkteve më bazë në ekonomi, duke u renditur në krye të Europës për shpenzimet për qumështin dhe produktet e bulmetit, vajrat dhe yndyrnat, si dhe për zarzavatet. Grupi “qumësht, produkte të tjera të bulmetit dhe vezë” përfaqësonte në vitin 2025 rreth 4.5% të PBB-së së Shqipërisë, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian ishte vetëm 1%. Asnjë vend tjetër në tabelën europiane nuk kishte një peshë më të lartë.
Në Bosnjë-Hercegovinë, shpenzimet për këtë grup ishin sa 4.2% e PBB-së, në Malin e Zi 3.5%, në Maqedoninë e Veriut 3.4% dhe në Serbi 2.2%. Në Greqi pesha ishte vetëm 1.7%, ndërsa në Itali 1.2%. Pesha e qumështit, bulmetit dhe vezëve në ekonominë shqiptare është kështu 4.5 herë më e lartë se mesatarja e BE-së.
Nuk ka të dhëna që të tregojnë se shqiptarët konsumojnë më shumë bulmet se Europa. Diferenca përkon më shumë me nivelin e lartë të çmimeve të këtyre produkteve. Në vitin 2025, Shqipëria kishte indeksin 135.6 për qumështin, produktet e bulmetit dhe vezët, ku mesatarja e BE-së është 100. Çmimet ishin 35.6% mbi mesataren europiane, duke e renditur Shqipërinë të tretën më të shtrenjtë në Europë për këtë grup. Në vlerë, shpenzimet për këtë kategori ishin 1.1 miliardë euro.
Diferenca me rajonin ishte edhe më e fortë. Indeksi ishte 107.1 në Serbi, 95 në Malin e Zi, 92 në Bosnjë-Hercegovinë dhe 89.6 në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët i paguanin këto produkte rreth 27% më shtrenjtë se serbët, 43% më shtrenjtë se malazezët dhe mbi 50% më shtrenjtë se konsumatorët në Maqedoninë e Veriut.
Vajrat dhe yndyrnat, shtatë herë mbi mesataren e BE-së në raport me PBB-në
Një tjetër diferencë e fortë është te vajrat dhe yndyrnat. Në Shqipëri, shpenzimet për këtë kategori ishin sa 1.4% e PBB-së, kundrejt vetëm 0.2% në Bashkimin Europian. Në raport me madhësinë e ekonomisë, Shqipëria shpenzon shtatë herë më shumë se mesatarja e BE-së për këtë grup produktesh. Në vlerë, shpenzimi ishte 356 milionë euro.
Edhe në këtë rast, Shqipëria kishte peshën më të lartë ndër vendet europiane të përfshira në tabelë. Në Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut, vajrat dhe yndyrnat zinin vetëm 0.6% të PBB-së, ndërsa në Serbi 0.4%. Edhe Greqia, relativisht e lartë në krahasim me BE-në, ishte në 0.7%.
Çmimet e vajrave dhe yndyrnave në Shqipëri ishin gjithashtu mbi mesataren europiane në vitin 2025. Indeksi i çmimeve ishte 112.5, ose 12.5% mbi mesataren e BE-së. Në këtë grup, megjithatë, Shqipëria nuk ishte më e shtrenjta në rajon, pasi Serbia kishte indeksin 128.4 dhe Mali i Zi 119.4. Bosnjë-Hercegovina ishte në 99.2 dhe Maqedonia e Veriut në 95.
Gati 1 miliard euro në vit shpenzohen për zarzavate
Një peshë po aq e pazakontë kanë zarzavatet. Grupi që Eurostat klasifikon si “zarzavate, zhardhokë, banane gatimi dhe bishtajore” përfaqësonte 3.9% të PBB-së së Shqipërisë në vitin 2025, pothuajse pesë herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian prej 0.8%. Për zarzavatet shpenzohen gati 1 miliard euro në vit.
Shqipëria ndan nivelin më të lartë me Maqedoninë e Veriut, gjithashtu me 3.9% të PBB-së. Në Bosnjë-Hercegovinë pesha ishte vetëm 1.7%, në Malin e Zi 1.6% dhe në Serbi 1.4%. Në Greqi ishte gjithashtu 1.4%, ndërsa në Itali 1.2%.
Në ndryshim nga bulmeti dhe vajrat, çmimet e këtij grupi në Shqipëri mbeten nën mesataren e BE-së, por janë shumë më të larta se në pjesën më të madhe të rajonit. Indeksi i çmimeve për zarzavatet ishte 91.2, pothuajse i njëjtë me Serbinë, me 91. Megjithatë, çmimet në Shqipëri ishin rreth 20% më të larta se në Bosnjë-Hercegovinë, 22% më të larta se në Malin e Zi dhe 27% më të larta se në Maqedoninë e Veriut.
Mishi merr pjesën më të madhe të shpenzimeve ushqimore
Mishi është produkti që merr pjesën më të madhe të shpenzimeve ushqimore në Shqipëri. Grupi i mishit dhe produkteve të kafshëve të therura përfaqësonte 4.7% të PBB-së, kundrejt 1.3% mesatarisht në BE. Pesha ishte rreth 3.6 herë më e lartë se mesatarja europiane. Në vlerë, shpenzimi është gati 1.2 miliardë euro.
Në rajon, vetëm Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina kishin një peshë më të lartë, me nga 5.6% të PBB-së. Serbia ishte në 3.6% dhe Maqedonia e Veriut në 3.4%. Në çmime, mishi në Shqipëri ishte vetëm 2% më i lirë se mesatarja e BE-së, me indeks 98, por rezultonte më i shtrenjti në rajon. Indeksi ishte 86.1 në Serbi, 83 në Bosnjë-Hercegovinë, 77.6 në Maqedoninë e Veriut dhe vetëm 71 në Malin e Zi.
Frutat dhe arrat kushtojnë deri në 76% më shumë se në Maqedoninë e Veriut
Edhe frutat dhe arrat zënë një pjesë shumë më të madhe të ekonomisë shqiptare sesa në BE. Shpenzimet për to ishin sa 1.9% e PBB-së, kundrejt 0.5% në Bashkimin Europian, ose gati katër herë më shumë. Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kishin një peshë më të lartë, me nga 2.3%, ndërsa Bosnjë-Hercegovina ishte në 1.7% dhe Serbia në vetëm 1%.
Çmimet e frutave dhe arrave në Shqipëri ishin sa 92.1% e mesatares së BE-së, por diferenca me ekonomitë më të lira të rajonit ishte e madhe. Në Bosnjë-Hercegovinë indeksi ishte 71.2 dhe në Maqedoninë e Veriut 52.4. Në krahasim me këtë të fundit, frutat dhe arrat në Shqipëri kushtonin rreth 76% më shumë.
Për drithërat dhe produktet e tyre, shpenzimet ishin sa 2.1% e PBB-së, më shumë se dyfishi i mesatares së BE-së prej 1%. Në këtë kategori Shqipëria nuk kryeson rajonin: Mali i Zi arrin në 3.5%, Bosnjë-Hercegovina në 2.7%, Maqedonia e Veriut në 2.5% dhe Serbia në 2.2%.
Çmimet e ushqimeve kalojnë për herë të parë mesataren e BE-së
Pesha e madhe që ushqimet marrin në ekonominë shqiptare po shoqërohet tashmë edhe me një tjetër zhvillim. Në vitin 2025, për herë të parë, niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri kaloi mesataren e Bashkimit Europian. Indeksi i ushqimeve arriti në 102.9, ose 2.9% mbi mesataren e BE-së, nga 99.6 një vit më parë dhe rreth 85 në vitin 2022.
Shqipëria është i vetmi vend i rajonit ku ushqimet kanë kaluar mesataren europiane. Serbia, e dyta më e shtrenjtë, kishte indeksin 96.6, ndërsa Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina ishin në 84.6 dhe Maqedonia e Veriut në vetëm 74.3.
Kur përfshihen edhe pijet joalkoolike, indeksi i Shqipërisë arrin në 103.8. Në Serbi është 97.1, në Malin e Zi 86.5, në Bosnjë-Hercegovinë 85.8 dhe në Maqedoninë e Veriut 74.8. Ushqimet dhe pijet joalkoolike kushtojnë në Shqipëri rreth 7% më shumë se në Serbi, 20% më shumë se në Malin e Zi, 21% më shumë se në Bosnjë-Hercegovinë dhe gati 39% më shumë se në Maqedoninë e Veriut.
Gjysma e grupeve ushqimore tashmë mbi çmimet mesatare të BE-së
Nga 12 grupet e detajuara ushqimore që raporton Eurostat, në gjysmën e tyre çmimet në Shqipëri janë tashmë mbi mesataren e Bashkimit Europian. Mes tyre janë qumështi dhe produktet e bulmetit, vajrat dhe yndyrnat, sheqeri dhe ëmbëlsirat, pijet joalkoolike dhe ushqimet e gatshme, ndërsa mishi dhe peshku janë afër nivelit mesatar europian.
Pijet joalkoolike, për të cilat Shqipëria shpenzon sa 1.4% e PBB-së, kundrejt 0.6% në BE, kishin në vitin 2025 një indeks çmimesh prej 114.3, ose 14.3% mbi mesataren europiane dhe më të lartin në rajon.
Sheqeri, ëmbëlsirat dhe produktet e pastiçerisë kishin indeksin 123.1, ose 23.1% mbi mesataren e BE-së, ndërsa ushqimet e gatshme dhe produktet e tjera ushqimore arrinin në 128.2, ose 28.2% më shtrenjtë se mesatarja europiane.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)