Secondary Adv

Rezerva valutore kalon për herë të parë 8 mld euro, BSH: Brenda vitit u rrit me 1.2 mld euro

Rezerva valutore arriti në 8.128 miliardë euro në korrik, duke shënuar një rekord të ri historik.

Rezerva valutore regjistroi një rekord të ri në muajin korrik, duke kapërcyer për herë të parë vlerën prej 8 miliardë eurosh. Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se brenda një viti rezerva është rritur me 18.6%, e ndikuar kryesisht nga shtimi i blerjeve të valutës nga banka qendrore.


“Mburoja financiare” e Shqipërisë po forcohet më tej gjatë këtij viti. Në muajin korrik, rezerva valutore e vendit arriti në 8 miliardë e 128 milionë euro, duke u rritur me 1 miliard e 272 milionë euro krahasuar me korrikun e vitit 2025.


Vetëm gjatë shtatë muajve të parë të vitit, shifrat e bankës qendrore tregojnë një zgjerim të rezervës valutore me 819 milionë euro, çka reflekton edhe nivelin e lartë të blerjeve të euros në treg.


Rezerva mund të mbulojë deri në 8 muaj importe


Rezerva valutore mbahet dhe administrohet nga Banka e Shqipërisë dhe mund të aktivizohet në periudha të vështira për të shlyer borxhin në valutë, për të mbuluar importet në rast krize, si dhe për të siguruar stabilitetin e kursit të këmbimit. Ministria e Financave thotë se, në raste krize, me rezervën aktuale mund të mbulohen deri në 8 muaj i

importe të mallrave dhe shërbimeve.


Deri në fund të këtij viti, rezerva pritet të rritet edhe më tej për shkak të blerjeve që kryen Banka e Shqipërisë, jo vetëm për stabilizimin e kursit, por edhe për rritjen e rezervës valutore.


BSH synon të blejë deri në 450 milionë euro gjatë vitit 2026


Vetëm në tremujorin e parë, Banka e Shqipërisë ka blerë nga tregu valutor 95.5 milionë euro, me qëllim rritjen e rezervës valutore dhe garantimin e stabilitetit financiar, në kushtet kur forcimi i lekut ka vijuar. Deri në fund të vitit 2026 synohet të blihen përmes ankandeve 330–450 milionë euro për rezervën valutore.


Megjithatë, kursi i këmbimit vijon të reflektojë forcimin e monedhës vendase. Aktualisht euro ka zbritur në nivelin e 92 lekëve, ndërsa dollari këmbehet me 79 lekë.


Mbi 1 miliard euro të blera gjatë vitit 2025


Për shkak të zhvlerësimit të fortë të monedhës europiane, Banka e Shqipërisë bleu gjatë vitit 2025 mbi 1 miliard euro nga tregu valutor. Prej kësaj shume, 729.1 milionë euro u blenë për të stabilizuar kursin e këmbimit, ndërsa 297.9 milionë euro për rritjen e rezervës valutore.

Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat