Kredia e re për shtëpi arriti në 7 miliardë lekë në korrik, duke rikthyer në rritje edhe ecurinë progresive të vitit.
Muaji korrik konfirmoi sinjalet e përmirësimit të kredisë për shtëpi. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë korrikut kredia e re për shtëpi arriti vlerën e 7 miliardë lekëve, në rritje me 50% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Rritja e korrikut ka bërë që vlerat progresive të kredisë për shtëpi këtë vit t’i rikthehen rritjes, pasi kishin mbyllur gjashtëmujorin e parë në rënie. Në shtatë muaj, sektori bankar ka dhënë 41.9 miliardë lekë kredi të re për shtëpi, në rritje me 2.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kredia për shtëpi rikthehet në rritje pas frenimit të fillimvitit
Kredia për shtëpi e kishte nisur këtë vit në rënie, duke krijuar pritshmëri për një frenim pas një cikli disavjeçar rritjeje të shpejtë. Ky frenim u duk se u ndikua nga masat shtrënguese që vendosi Banka e Shqipërisë vitin e kaluar, por edhe nga një qëndrim më konservator i disa prej bankave, të shqetësuara nga një lloj mbinxehjeje e tregut të pasurive të paluajtshme. Megjithatë, duke filluar nga tremujori i dytë, kredia për shtëpi duket se i është rikthyer rritjes, ecuri që u konfirmua edhe gjatë muajit korrik.
Pothuajse 85% e kredisë për shtëpi jepet në lekë
Kredia për shtëpi është gjithnjë e më e përqendruar në monedhën vendase, tendencë që është përvijuar qartë në vitet e fundit. Pothuajse 85% e kredisë për shtëpi këtë vit është dhënë në lekë. Kredia në lekë është rritur me 21%, ndërsa kredia në euro ka pësuar një rënie me 45% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e shpejtë e kredisë në lekë duket se është ndikuar nga normat e favorshme të interesit në monedhën vendase dhe nga politikat më të shtrënguara rregullatore lidhur me kreditimin në valutë të huaj për huamarrësit me të ardhura në lekë. Nga ana tjetër, forcimi i vazhdueshëm i lekut ndaj euros ka ndikuar edhe në zgjedhjen e një pjese të mirë të huamarrësve për t’i konvertuar kreditë në monedhën vendase. Statistikisht, një konvertim i tillë raportohet si kredi e re.
Portofoli i kredisë për shtëpi arrin në 262.3 miliardë lekë
Në fund të korrikut, portofoli total aktiv i kredisë për shtëpi kishte vlerën e 262.3 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 13%.
Një vit pasi hyri në fuqi paketa rregullatore e Bankës së Shqipërisë, që vendosi disa kufizime në treguesit e administrimit të rrezikut të kredisë për shtëpi, duket se masat nuk kanë sjellë një shtrëngim drastik të huadhënies në këtë segment. Megjithëse ritmi progresiv vjetor i rritjes së kredisë është ngadalësuar, ecuria e muajve të fundit duket se paralajmëron një zgjerim të mëtejshëm të kreditimit në pjesën e mbetur të vitit.
Ekspozimi i bankave ndaj pasurive të paluajtshme mbetet në rritje
Ekspozimi i sektorit bankar ndaj tregut të pasurive të paluajtshme është i rëndësishëm dhe në rritje. Të dhënat e pjesshme të këtij viti tregojnë se çmimet e banesave në Tiranë e kanë ngadalësuar rritjen, madje kanë pësuar një rënie të vogël në terma mesatarë.
Tregu i banesave në bregdet, për momentin, mbetet më dinamik, me çmime ende në rritje, të mbështetura në një pjesë të madhe nga investimet e shtetasve të huaj ose të jorezidentëve në përgjithësi.