Secondary Adv

Besimi në ekonomi rritet në gusht, ndërtimi kryeson përmirësimin

Besimi në ekonomi u rrit me 1.8 pikë në gusht, i mbështetur nga ndërtimi, tregtia, shërbimet dhe konsumatorët.

Besimi në ekonominë shqiptare u përmirësua gjatë muajit gusht, i mbështetur kryesisht nga ndërtimi, tregtia dhe shërbimet, ndërsa industria ishte i vetmi sektor që shënoi rënie. Sipas Vrojtimit të Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit, publikuar më 1 shtator nga Banka e Shqipërisë, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) u rrit me 1.8 pikë gjatë gushtit dhe qëndron tashmë 7.4 pikë mbi mesataren historike. Në rritje ndikoi gjithashtu, megjithëse në masë më të vogël, përmirësimi i besimit të konsumatorëve.


Ndërtimi shënon përmirësimin më të fortë


Sinjali më pozitiv gjatë muajit erdhi nga sektori i ndërtimit. Treguesi i besimit në këtë sektor u rrit me 4.7 pikë përqindje krahasuar me korrikun, duke arritur rreth 10.3 pikë mbi mesataren historike. Përmirësimi lidhet si me vlerësimin më pozitiv për aktivitetin aktual ndërtues, ashtu edhe me kontratat porositëse. Ndërkohë, pritjet e bizneseve të ndërtimit për çmimet vijuan të bien.


Të dhënat e detajuara tregojnë se balanca për aktivitetin ndërtues gjatë tre muajve të fundit u rrit nga 4.6 pikë në korrik në 8.9 pikë në gusht. Edhe vlerësimi për kontratat porositëse u përmirësua, nga -28.7 në -23.7 pikë. Në të kundërt, pritjet për punësimin zbritën nga 13.2 në 11.6 pikë, ndërsa pritjet për çmimet ranë ndjeshëm, nga 16.5 në 10.7 pikë.


Rritet besimi në tregti, ulen pritjet për çmimet


Pozitive paraqitet situata edhe në tregti. Treguesi i besimit në këtë sektor u rrit me 2.1 pikë përqindje dhe qëndron rreth 11 pikë mbi mesataren historike. Bizneset raportuan vlerësime më optimiste për shitjet aktuale dhe pritje më të mira për punësimin, ndërsa pritjet për rritjen e çmimeve u reduktuan.


Konkretisht, balanca për ecurinë e biznesit në tregti u rrit nga 19.9 pikë në korrik në 22.1 pikë në gusht. Pritjet për punësimin u përmirësuan nga 3.1 në 5 pikë, ndërsa pritjet për çmimet ranë nga 14.6 në 10.7 pikë. Megjithatë, pritjet për porositë në të ardhmen u ulën nga 25.4 në 20.8 pikë.


Shërbimet presin rritje më të fortë të kërkesës


Edhe sektori i shërbimeve regjistroi një muaj pozitiv. Treguesi i besimit u rrit me 1.8 pikë përqindje dhe qëndron rreth 7 pikë mbi mesataren historike. Bizneset raportuan përmirësim si të aktivitetit, ashtu edhe të kërkesës.


Në shërbime, pritjet për kërkesën shënuan një rritje të fortë, nga 20.1 pikë në korrik në 27.2 pikë në gusht. Në të njëjtën kohë, pritjet për çmimet ranë nga 12.2 në 7.5 pikë, duke sinjalizuar zbutje të presioneve të pritshme mbi çmimet në këtë sektor.


Industria, i vetmi sektor me rënie të besimit


Pamja është më pak optimiste në industri. Treguesi i besimit industrial ra me 1.2 pikë përqindje gjatë gushtit, megjithëse vazhdon të qëndrojë 6.4 pikë mbi mesataren historike. Sipas Bankës së Shqipërisë, rënia u shkaktua kryesisht nga vlerësimi më i dobët për kontratat porositëse, ndërsa prodhimi aktual mbeti pothuajse në të njëjtin nivel me korrikun. Në të njëjtën kohë, pritjet për çmimet u rritën.


Kontratat porositëse në industri zbritën nga -7.1 pikë në korrik në -10.9 pikë në gusht, ndërsa pritjet për prodhimin ranë nga 26.7 në 22.5 pikë. Në kahun tjetër, pritjet për çmimet e produkteve u rritën nga 15.6 në 21.9 pikë, ndërsa ato për punësimin u përmirësuan nga 11.5 në 12.9 pikë.


Rikuperohet besimi i konsumatorëve


Sinjale pozitive vijnë ndërkohë edhe nga konsumatorët. Treguesi i besimit konsumator u rrit me 0.8 pikë përqindje në gusht dhe tashmë ndodhet 2.2 pikë mbi mesataren historike. Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi ka rikuperuar plotësisht rënien e regjistruar gjatë dy tremujorëve të parë të vitit. Përmirësimi është mbështetur kryesisht nga vlerësimet më pozitive për blerjet e mëdha, si ato aktuale, ashtu edhe ato të pritshme.


Balanca për blerjet e mëdha aktuale u përmirësua nga -61.8 në -59.9 pikë, ndërsa ajo për blerjet e mëdha të pritshme nga -41.8 në -40.7 pikë. Edhe treguesi për situatën e të ardhurave dhe shpenzimeve u përmirësua, nga 6.5 në 7.3 pikë.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat