Secondary Adv

Importet e cigareve në nivelin më të lartë që nga 2013, rriten me 5.5 për qind në 7-mujor

Në shtatë muaj u importuan 2,017 tonë cigare, 105 tonë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Importet e cigareve kanë vazhduar rritjen edhe në vitin 2026, duke arritur nivelin më të lartë të regjistruar për periudhën janar–korrik që nga viti 2013. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në shtatë muajt e parë të vitit 2026 u importuan 2,017 tonë cigare, nga 1,912 tonë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.


Rritja vjetore është rreth 5.5%, ose 105 tonë më shumë. Të dhënat tregojnë se rikthimi i importeve të cigareve nuk është vetëm një zhvillim i vitit 2026. Në tre vjet, importet janë shtuar me rreth 20%.


Turizmi zgjeron tregun e konsumit


Një nga faktorët që mund të ketë ndikuar në zgjerimin e kërkesës është rritja e numrit të të huajve që hyjnë në vend, veçanërisht gjatë muajve të sezonit turistik. Vetëm në korrik 2026, hyrjet totale të shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin e vendit u rritën me 6.1% në krahasim me korrikun e një viti më parë, sipas INSTAT. Rritja e popullsisë së përkohshme gjatë sezonit turistik zgjeron tregun e konsumit për një sërë produktesh, përfshirë produktet e duhanit.


Ndryshe nga produkte të tjera, cigaret në Shqipëri janë më të lira se në Bashkimin Europian. Një pjesë e turistëve europianë, gjatë largimit nga vendi, blejnë edhe disa paketa cigaresh në Shqipëri.


Akciza u rrit nga 1 janari 2026


Rritja e importeve të cigareve po ndodh në një periudhë kur politika fiskale synon shtrenjtimin gradual të produkteve të duhanit. Sipas kalendarit të akcizës, taksa për cigaret që përmbajnë duhan u rrit nga 7,500 lekë për 1,000 fije në vitin 2025 në 7,750 lekë për 1,000 fije nga 1 janari 2026.


Si rregull, rritja e akcizës dhe e çmimeve duhet të ushtrojë presion për uljen e konsumit, por të dhënat e importeve të deklaruara tregojnë të kundërtën në tre vitet e fundit, ndërsa kërkesa për cigare mbetet e lartë edhe nga turizmi.


Zgjerohet tregu formal i cigareve


Fakti që rritja vijon për të tretin vit radhazi dhe shoqërohet me rritje të konsiderueshme të të ardhurave nga akciza tregon se tregu formal i cigareve po zgjerohet përsëri pas niveleve shumë më të ulëta të regjistruara në pjesën e dytë të dekadës së kaluar dhe gjatë viteve të pandemisë.


Tregu i cigareve në Shqipëri dominohet pothuajse tërësisht nga importi. Shqipëria ka pasur tradicionalisht rajone të njohura për kultivimin e bimës së duhanit, si në zonën e Shkodrës, Elbasanit dhe të tjera, por pjesa më e madhe e prodhimit bujqësor ndër vite është eksportuar si lëndë e parë ose është përpunuar në mënyrë artizanale, pa mundur të mbështesë një industri konkurruese kombëtare të cigares së gatshme.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat