Secondary Adv

Rritja e çmimeve nuk e ndikon konsumin, importet e karburanteve arritën rekord historik në korrik

Importet e karburanteve arritën në gati 76 mijë tonë në korrik, niveli më i lartë mujor i regjistruar që nga viti 2000.

Ndonëse çmimet e karburanteve në vend shënuan sërish rritje në muajin korrik, në linjë me tendencën globale, kjo nuk duket se ka ndikuar në konsumin e naftës dhe benzinës në vend, ndryshe nga muajt e kaluar, kur u konstatua një stepje.


Të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave bënë të ditur se në korrik importet e karburanteve arritën në gati 76 mijë tonë, me rritje prej 6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është rekordi historik i importeve jo vetëm për muajin korrik, por për të gjithë muajt, të paktën që nga viti 2000, kur Ministria e Financave raporton të dhënat. Më herët, rekordi ishte regjistruar në gusht 2024, kur importet e karburanteve arritën në 74.3 mijë tonë.


Sezoni turistik rrit konsumin e karburanteve


Korriku dhe gushti shënojnë historikisht konsumin më të lartë të karburanteve për shkak të shtimit të lëvizjeve gjatë sezonit veror. Vitet e fundit ka ndikuar edhe ardhja e turistëve, të cilët përdorin makina me qira. Në korrik të këtij viti, trafiku ka qenë mjaft i rënduar në jug të vendit, në zonën e Durrësit dhe në Elbasan, në drejtim të Pogradecit dhe Korçës.


Për shtatëmujorin, importet e karburanteve arritën në rreth 410 mijë tonë, me një rënie prej 2% me bazë vjetore, e ndikuar nga stepja e konsumit në prill dhe maj, kur nisi edhe rritja e çmimeve.


Të dhënat e gushtit 2026 nuk janë publikuar ende, por aktorët e tregut pohojnë se konsumi ka vijuar i lartë, pavarësisht rritjes së fortë të çmimeve në gjysmën e dytë të muajit. Konsumatorët vijojnë të furnizohen nga nevoja, thonë ata, ndonëse një pjesë shfrytëzojnë mundësinë për t'i mbushur automjetet jashtë vendit. Sipas aktorëve të tregut, nëse ky furnizim do të kryhej brenda vendit, konsumi do të ishte shumë më i lartë.


Nafta arriti deri në 206 lekë për litër në korrik


Në korrik, çmimi mesatar i naftës ka qenë 195 lekë për litër. Në javën e parë çmimi ishte 182 lekë, për t'u rritur më pas në 188 lekë, ndërsa në gjysmën e dytë të muajit kaloi nga 198 lekë në 206 lekë për litër.


Në gusht, çmimi ka qenë mbi 210 lekë për litër gjatë gjithë periudhës, duke u shtrenjtuar në 219 lekë në dy javët e fundit.


Rreth gjysma e çmimit të naftës përbëhet nga taksat


Shqipëria ka naftën 30% më të shtrenjtë se rajoni, për shkak të ngarkesës fiskale. Ndërsa në vendet e tjera të rajonit zbatohet një strukturë më e thjeshtë për llogaritjen e çmimit të naftës, ku çmimit bazë i shtohet akciza dhe mbi këtë shumë llogaritet TVSH-ja, në Shqipëri, përveç akcizës prej 0.37 euro për litër dhe TVSH-së 20%, mbi çmimin e naftës aplikohen edhe dy taksa të tjera shtesë.


Bëhet fjalë për taksën e qarkullimit, prej 27 lekësh për litër, dhe taksën e karbonit, prej 3 lekësh për litër. Kjo bën që struktura fiskale në Shqipëri të jetë dukshëm më e rënduar, duke përbërë rreth 50% të çmimit, ose afërsisht 100 lekë për litër.


Çmimet e larta rrisin të ardhurat nga TVSH-ja


Nga kjo situatë, deri tani, qeveria ka arkëtuar më shumë TVSH si rrjedhojë e çmimeve më të larta, ndërsa ka shpenzuar vetëm 37 milionë lekë kur çmimi ka qenë për disa ditë mbi 220 lekë për litër në prill, nivel mbi të cilin aktivizohet ulja me 20% e akcizës.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat