Dëmet mjedisore, operatorët përgjegjës do të rehabilitojnë zonat e prekura, roli i AKM
Rregullat e reja përcaktojnë masat për rehabilitimin e dëmeve në tokë, ujëra, pyje dhe habitate natyrore.
Operatorët përgjegjës për dëmtimin e mjedisit do të duhet të ndërmarrin masa për rikuperimin ose rehabilitimin e burimeve natyrore të prekura, sipas një urdhri të ri të Ministrisë së Mjedisit, që përcakton ndërhyrjet për dëmet në tokë, ujëra, pyje dhe habitate natyrore.
Urdhri nr. 459, datë 28 gusht 2026, i publikuar në Fletoren Zyrtare, miraton masat që duhet të merren nga operatorët përgjegjës sipas legjislacionit në fuqi. Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) mund të kërkojë edhe masa të tjera specifike, nëse vlerëson se ato sigurojnë një nivel mbrojtjeje mjedisore të barasvlershëm ose më të lartë.
Akti hyn në fuqi menjëherë, por zbatimi i masave do të nisë pasi të miratohen dhe të hyjnë në fuqi aktet nënligjore për përgjegjësinë mjedisore, të parashikuara nga ligji për mbrojtjen e mjedisit.
Tre nivele rehabilitimi për dëmet mjedisore
Sipas urdhrit, rehabilitimi përfshin veprime që synojnë “rikuperimin, rehabilitimin ose zëvendësimin e burimeve natyrore të dëmtuara” dhe të shërbimeve të cenuara, si edhe sigurimin e alternativave ekuivalente kur është e nevojshme.
Për dëmet në ujëra, lloje të mbrojtura, habitate natyrore dhe pyje parashikohen tri nivele ndërhyrjeje: rehabilitim parësor, plotësues dhe kompensues. Rehabilitimi parësor synon rikthimin e burimeve natyrore në gjendjen e mëparshme ose sa më afër saj. Nëse kjo nuk arrihet plotësisht, zbatohen masa plotësuese, ndërsa masat kompensuese përdoren për humbjet e përkohshme që krijohen deri në rikthimin e plotë të burimeve ose shërbimeve mjedisore.
Nga ripyllëzimi te pastrimi i ujërave dhe tokave
Masat për biodiversitetin mund të përfshijnë ripyllëzimin me specie autoktone, restaurimin e habitateve natyrore, ripopullimin e faunës me specie vendase dhe heqjen e specieve invazive.
Për ujërat, urdhri parashikon pastrimin nga ndotësit dhe mbetjet, rivendosjen e shtratit natyror të lumenjve dhe rikthimin e regjimit hidrologjik. Për tokën, masat përfshijnë heqjen dhe trajtimin e tokës së ndotur, dekontaminimin dhe stabilizimin fizik ose kimik të ndotjes.
Masa të menjëhershme në rast rreziku mjedisor
Urdhri përcakton edhe masa emergjente që mund të zbatohen pa vonesë në rast të një kërcënimi të menjëhershëm për dëmtim mjedisor. Këto përfshijnë ndërprerjen e aktivitetit që shkakton ose rrezikon të shkaktojë dëmin, izolimin e burimit të ndotjes, ndalimin e shkarkimeve ose rrjedhjeve dhe largimin e substancave të rrezikshme.
Për tokat e ndotura, masat duhet të sigurojnë që substancat ndotëse të hiqen, kontrollohen, kufizohen ose reduktohen në mënyrë që toka të mos përbëjë rrezik të konsiderueshëm për shëndetin e njeriut. Vlerësimi duhet të marrë parasysh, ndër të tjera, llojin dhe përqendrimin e substancave të dëmshme dhe mundësinë e përhapjes së tyre.
Roli i AKM-së në përcaktimin e rehabilitimit
Në përzgjedhjen e mënyrës së rehabilitimit do të vlerësohen ndikimi në shëndetin dhe sigurinë publike, kostoja e masave, mundësia e suksesit, koha e nevojshme për rikuperimin dhe shkalla në të cilën ndërhyrja parandalon dëme të tjera.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit mund të vendosë të mos kërkojë masa të tjera rehabilituese nëse ndërhyrjet e kryera kanë eliminuar rrezikun e rëndësishëm dhe nëse kostoja e rikthimit të mëtejshëm do të ishte joproporcionale me përfitimet mjedisore që do të arriheshin.