Kosova në udhëkryq, dështon marrëveshja për Presidentin
Marrëveshja politike për kandidaturën e Bekim Sejdiut për President të Kosovës rrezikon të dështojë, pasi gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë vendosur të mos e mbështesin atë.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, paralajmëroi se situata mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, Abdixhiku deklaroi se gjashtë deputetë të LDK-së nuk kanë pranuar të respektojnë vendimin e Kryesisë së partisë, e cila më herët gjatë ditës kishte miratuar marrëveshjen politike dhe mbështetur nominimin e Bekim Sejdiut për postin e Presidentit.
Sipas Abdixhikut, kundërshtimi i gjashtë deputetëve rrezikon të krijojë pasoja politike dhe institucionale dhe mund ta dërgojë Kosovën në zgjedhje të reja.
“Me keqardhje, gjashtë deputetë të LDK-së kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e Kryesisë së LDK-së. Ata kanë deklaruar se nuk e votojnë kandidatin e propozuar. Konsideroj se shkaktojnë dëm dhe e dërgojnë vendin në zgjedhje”, deklaroi Abdixhiku.
Deputetët që, sipas kreut të LDK-së, kanë refuzuar të mbështesin kandidaturën e Sejdiut janë Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Janina Ymeri, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Arben Gashi.