Rikthehet flota e plotë e transportit publik, qeveria zgjat për 3 muaj kompensimin e karburantit
Transporti publik rikthehet nga sot në qarkullim me flotën e plotë, pas vendimit për riaktivizimin e skemës së mbështetjes për karburantin.
Operatorët do të përfitojnë kompensim prej 50 lekësh për çdo litër karburant për një periudhë tre mujore.
Vendimi për rikthimin e subvencionimit ka sjellë edhe rikthimin e plotë të autobusëve në shërbim, pas reduktimit të flotës gjatë ditëve të fundit. Masa vjen në një periudhë kur kostot e transportit publik janë rritur ndjeshëm, ndërsa çmimi i naftës ka kaluar sërish nivelin e 200 lekëve për litër.
Skema do të funksionojë në të njëjtën mënyrë si mbështetja e aplikuar më herët, me kompensim prej 50 lekësh për litër karburant për tre muaj. Në skemën e parë, qeveria miratoi të njëjtën masë kompensimi për shoqëritë që operojnë linja qytetëse, rrethqytetëse dhe ndërqytetëse për periudhën mars–maj 2026. Efekti financiar i skemës së parë ishte 250 milionë lekë.
Nafta mbi 200 lekë për litër rrit kostot e operatorëve
Çmimi i naftës është një nga faktorët kryesorë që ka rënduar financat e operatorëve të transportit publik. Gjatë muajve të fundit, çmimet e gazoilit kanë kaluar disa herë pragun e 200 lekëve për litër, ndërsa në prill çmimi tavan me pakicë arriti në 215 lekë për litër.
Për kompanitë e transportit publik, karburanti përbën një prej zërave kryesorë të kostove të operimit, ndaj shtrenjtimi i naftës përkthehet drejtpërdrejt në shpenzime më të larta për çdo autobus dhe linjë. Kompensimi prej 50 lekësh për litër synon të zbusë këtë efekt dhe të garantojë vijimin normal të shërbimit.
Autobusët rikthehen në shërbim të plotë
Operatorët kishin reduktuar numrin e autobusëve në qarkullim gjatë ditëve të fundit për shkak të vështirësive financiare dhe kostove të larta të karburantit, duke sjellë edhe rritje të kohës së pritjes për qytetarët në stacione.
Me rikthimin e skemës së kompensimit, transporti publik do të funksionojë sërish me flotën e plotë, me synimin për të normalizuar frekuencën e linjave dhe shërbimin për qytetarët.