Secondary Adv

OSHEE fal 2.5 mln euro nga kamatëvonesat, mbi 4 mijë aktmarrëveshje në 2026

Rreth 2.5 mln euro kamatëvonesa janë reduktuar në 2026 për familjarët dhe bizneset që kanë shlyer detyrimet.

Rreth 2.5 mln euro kamatëvonesa janë reduktuar gjatë vitit 2026 për klientët familjarë dhe bizneset që kanë zgjedhur të shlyejnë menjëherë detyrimet e prapambetura ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Sipas të dhënave të kompanisë, deri më tani janë lidhur 4,095 aktmarrëveshje me Furnizuesin e Shërbimit Universal, ndërsa 2,818 prej tyre, ose 68.8%, kanë përfunduar me shlyerjen e të gjithë detyrimit me një këst të vetëm.


Familjarët përfitojnë reduktim me 70% të kamatëvonesës

Pjesa më e madhe e marrëveshjeve i përket klientëve familjarë. Në total janë lidhur 2,893 aktmarrëveshje për këtë kategori, nga të cilat 1,928 familjarë kanë zgjedhur pagesën e menjëhershme, duke përfituar reduktim me 70% të kamatëvonesës. Ndërkohë, 965 klientë familjarë kanë zgjedhur shlyerjen e detyrimeve përmes pagesave me këste.


Për kategoritë jofamiljare janë firmosur 1,202 aktmarrëveshje, ku përfshihen klientët buxhetorë dhe jobuxhetorë, si dhe bizneset e vogla dhe të mëdha. Skema përfshin detyrimet e krijuara deri në fund të vitit 2024, ndërsa për kategoritë në nevojë mund të përfshihen edhe detyrimet e krijuara gjatë vitit 2025.


Deri në 120 këste për detyrimet mbi 10 mln lekë

Për klientët buxhetorë dhe jobuxhetorë, numri i kësteve përcaktohet sipas shumës së borxhit. Afati nis nga 24 këste për detyrime nga 100–500 mijë lekë dhe arrin deri në 120 këste për debi mbi 10 mln lekë. Edhe për këto kategori kërkohet që të mos jenë krijuar detyrime të reja gjatë periudhës 2025–2026.


Një skemë e veçantë zbatohet edhe për faturat korrektive, përmbledhëse apo sistemuese, si dhe për rastet që lidhen me demontimin ose testimin e matësve. Këto detyrime mund të shlyhen deri në 24 këste.


Bizneseve të vogla u falet e gjithë kamatëvonesa


Reduktimi i kamatëvonesës ndryshon sipas kategorisë së klientit. Familjarët përfitojnë ulje me 70%, ndërsa klientët jofamiljarë, buxhetorë dhe jobuxhetorë përfitojnë reduktim me 50%. Për bizneset e vogla parashikohet falja e plotë e kamatëvonesës, me kusht që i gjithë detyrimi të shlyhet menjëherë.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat