Secondary Adv

1 në 5 banorë mbi 65 vjeç, reforma administrative kërkon më shumë shërbime sociale në bashki

Reforma territoriale nis në kushtet kur 19.7% e popullsisë është mbi 65 vjeç dhe shumë zona po humbin banorë.

Shqipëria po hyn në reformën e re administrativo-territoriale me një popullsi jo vetëm më të vogël, por edhe dukshëm më të plakur. Mosha mesatare është rritur nga 35.3 vjeç në vitin 2011 në 42.5 vjeç në 2023, ndërsa personat 65 vjeç e lart përbëjnë tashmë 19.7% të popullsisë, nga 11.3% që ishin dymbëdhjetë vjet më parë. Praktikisht, gati një në pesë banorë i përket moshës së tretë.


Të dhënat, të përfshira në relacionin që shoqëron projektligjin e reformës administrativo-territoriale, përdoren për të argumentuar se harta e pushtetit vendor duhet të përshtatet jo vetëm me numrin e banorëve, por edhe me ndryshimin e nevojave të tyre. Raporti i varësisë së të moshuarve është rritur nga 16.7% në 30.4%, ndërsa ai i të rinjve ka rënë nga 30.4% në 24%.


Plakja rrit kërkesën për shërbime sociale dhe kujdes


Sipas relacionit, plakja ndryshon drejtpërdrejt llojin e shërbimeve që duhet të ofrojë pushteti vendor, duke rritur kërkesën për shërbime sociale, kujdes shëndetësor, asistencë në komunitet dhe shërbime të aksesueshme për të moshuarit. Për bashkitë që po humbin popullsi, problemi nuk kufizohet vetëm te numri më i vogël i taksapaguesve, pasi ato duhet njëkohësisht t'i përgjigjen një popullsie më të moshuar dhe me nevoja më të mëdha për kujdes.


Fenomeni nuk shpërndahet njësoj në të gjithë territorin. Gjatë periudhës 2011–2023, sipas relacionit, Qarku Shkodër humbi 28.3% të popullsisë, Kukësi 27.3% dhe Lezha 25.8%. Tirana, në të kundërt, shënoi një rritje të lehtë prej 1.2%, ndërsa Berati mbeti thuajse i qëndrueshëm, me një rënie prej vetëm 0.7%.


Censi 2023 regjistroi 15.2% më pak banorë se në vitin 2011


Në shkallë kombëtare, Censi 2023 regjistroi 2,402,113 banorë, 15.2% më pak se në vitin 2011, ndërsa gati gjysma e popullsisë jeton tashmë në vetëm shtatë bashki. Relacioni evidenton se zonat malore po plaken dhe zbrazen, ndërsa popullsia po përqendrohet gjithnjë e më shumë në një numër të kufizuar qendrash.


Kjo krijon dy presione të kundërta mbi pushtetin vendor. Në territoret që zbrazen reduktohen fuqia punëtore dhe baza e taksapaguesve, ndërsa kostoja për banor e transportit, administrimit dhe shërbimeve mund të rritet. Qendrat që tërheqin popullsi, ndërkohë, përballen me presion më të madh mbi infrastrukturën, transportin, strehimin dhe shërbimet publike.


Harta e re me më pak bashki përballë sfidës demografike


Pikërisht ky ndryshim demografik paraqitet si një nga arsyet sociale për hartën e re me më pak bashki. Sfida pas bashkimeve do të jetë nëse njësitë më të mëdha do të arrijnë ta kthejnë kapacitetin e shtuar financiar dhe administrativ në shërbime konkrete për një popullsi që po plaket me shpejtësi, veçanërisht në zonat rurale dhe të largëta.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat