Pasqyra Albania, Rama: Platforma e re do të informojë për ligjet, vendimet dhe emergjencat
“Pasqyra Albania” synon të krijojë një adresë të vetme publike për informacionin dhe komunikimin e qytetarëve me shtetin.
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, prezantoi para grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar platformën “Pasqyra Albania”, një instrument të ri digjital që synon të krijojë një adresë të vetme publike për informacionin, dokumentet, statusin dhe provat që lidhen me punën e institucioneve shtetërore.
Rama tha se “Pasqyra Albania” nuk vjen si zëvendësim i Platformës së Bashkëqeverisjes, por do të ndërthuret me të, ndërsa theksoi se përdorimi i inteligjencës artificiale krijon mundësi të reja për transformimin e shërbimeve dhe komunikimit mes qytetarëve dhe shtetit. Sipas tij, edhe “e-Albania” do të jetë pjesë përbërëse e “Pasqyrës”, ndërsa dokumentet personale dhe komunikimi individual i qytetarëve do të vijojnë të mbrohen dhe të kryhen përmes kanaleve përkatëse.
“Shteti ka detyrimin të ketë një adresë të vetme publike për faktin, për dokumentin, për statusin dhe për provën e çdo pune të madhe dhe çdo halli të vogël. Tani, në hamendësimet e bëra thuhet që ‘Pasqyra’ është një tjetër hap që vjen nga përpjekja për të mbuluar dështimin e platformës së bashkëqeverisjes. Ndërkohë që kjo është e pavërtetë, jo vetëm sepse platforma e bashkëqeverisjes nuk ka dështuar, por sepse platforma e bashkëqeverisjes do të jetë pjesë e ‘Pasqyrës’. Ama, çfarë platforma e bashkëqeverisjes nuk ka bërë dot deri më sot, ‘Pasqyra’ do ta garantojë edhe përmes platformës së bashkëqeverisjes, që aktualisht është në një proces transformimi për shkak se, përsëri e nënvizoj, nuk e kemi pasur instrumentin e jashtëzakonshëm që kemi sot, Inteligjencën Artificiale”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se “e-Albania” do të jetë gjithashtu pjesë e platformës, por dosjet personale, dokumentet individuale dhe komunikimi për çështje shërbimesh do të mbeten të mbrojtura. “Pra, halli individual vazhdon të trajtohet me ditët dhe me konfidencialitet, por risia është që halli individual nuk mbetet jetim në mjegullën e depërtueshme të xhunglës digjitale”, tha Rama.
Njoftime në WhatsApp për ligjet dhe vendimet e reja
Një nga risitë e prezantuara është mundësia që qytetarët të marrin në kohë reale informacion mbi ndryshimet ligjore dhe vendimet që lidhen me fushën e tyre të interesit. Rama solli si shembull sipërmarrësit e vegjël, të cilët mund të zgjedhin të marrin njoftime në celular, përmes WhatsApp-it, sa herë që hyn në fuqi një ligj, vendim apo urdhëresë që prek aktivitetin e tyre.
“‘Pasqyra Albania’ publikon në kohë reale për çdo qytetar ku ngec një shërbim për të. ‘Pasqyra Albania’ informon çdo qytetar të interesuar sa zgjat përgjigjja që ai duhet të presë. ‘Pasqyra Albania’ mban në kontakt të vazhdueshëm çdo qytetar që do të jetë në kontakt të vazhdueshëm për çdo ndryshim që bëhet në korpusin legjislativ dhe në korpusin rregullator të Republikës së Shqipërisë”, tha Rama.
Sipas tij, një sipërmarrës i vogël mund të regjistrojë dëshirën për t'u informuar për ndryshimet që prekin biznesin e tij dhe t'i marrë ato në WhatsApp në kohë reale. Njoftimet mund të tregojnë, për shembull, se një ligj apo vendim i ri ka hyrë në fuqi ose se Drejtoria e Tatimeve ka nxjerrë një urdhëresë të re. I njëjti mekanizëm synohet të funksionojë për qytetarët sipas profesionit dhe fushës së tyre të interesit.
Rama: Platforma nuk do të mbledhë të dhëna pa dijeninë e qytetarëve
Kryeministri theksoi se këto njoftime do të aktivizohen sipas dëshirës së vetë qytetarit dhe se “Pasqyra Albania” nuk do të mbledhë të dhëna jashtë dijenisë së tij. Sipas Ramës, platforma nuk do të përdorë automatikisht të dhënat e mbledhura kur një qytetar hyn në “e-Albania” për të marrë një shërbim, me qëllim dërgimin e njoftimeve të tjera.
“Por vetëm nëse individi i thotë shtetit: unë dua që ti të më njoftosh mua sapo ta nxjerrësh vendimin. Nuk dua ta marr vesh mbas një viti kur të më vijë fatura që ke vendosur një tarifë të re apo që ke bërë një ndryshim. Nuk dua fare të dëgjoj nga ndërmjetësit mediatikë apo të keqinformohem nga pasqyrat mediatike, dua që ti, shteti im, të më japësh mua informacion në kohë reale”, u shpreh Rama.
Njoftime në kohë reale për zjarret dhe përmbytjet
Një tjetër funksion i prezantuar nga Kryeministri lidhet me informimin në kohë reale për situatat emergjente. Sipas tij, platforma duhet të jetë në gjendje të njoftojë qytetarët që ndodhen në zona të rrezikuara nga zjarret apo përmbytjet, pa qenë nevoja të presin njoftimet zyrtare apo ta marrin informacionin përmes mediave.
“‘Pasqyra Albania’ duhet të informojë në kohë reale çdo qytetar që ndodhet në një zonë ku ka një rrezik zjarri. Çdo qytetar që ndodhet në një zonë ku ka një rrezik përmbytjeje, jo duke pritur konferencën e shtypit të ministrit përkatës apo drejtorit të emergjencave civile apo duke ndjekur në pasqyrat mediatike se botës i erdhi fundi”, tha Rama.
“Kartela publike” do të tregojë dokumentet, afatet dhe statusin e punëve
Rama tha se mjeti themelor i “Pasqyrës” do të jetë “kartela publike”, e cila, sipas tij, nuk do të përmbajë propagandë apo deklarata politike, por informacion konkret mbi punën e institucioneve. Kartela do të përmbajë të dhëna mbi punën që po kryhet, institucionin përgjegjës, personin apo strukturën që mund të japë përgjigje, dokumentet përkatëse, afatet, statusin, ndryshimet e bëra dhe provat që lidhen me një proces.
“‘Pasqyra’ nuk ka asnjë tekst propagandistik, ‘Pasqyra’ nuk ka asnjë deklaratë se çfarë do të bëjmë ne. ‘Pasqyra’ ka vetëm çfarë bën qeveria sot, çfarë bën me gjasë parlamenti, çfarë bën pushteti gjyqësor sot”, tha Rama.
Sipas tij, kartela publike do t'u përgjigjet disa pyetjeve bazë: cila është puna që po bëhet ose është bërë, në interes të kujt është, cili institucion po e ndjek, kush përgjigjet për pyetjet rreth saj, ku ndodhen dokumentet, cilat janë afatet dhe statusi, çfarë ka ndryshuar dhe cilat janë provat që lidhen me procesin.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)