Kompensimi për fëmijët nga DIVA 2025, nisin pagesat pas plotësimit të mangësive në dokumentacion
Administrata Tatimore ka nisur prej fillimit të shtatorit shpërndarjen e kompensimeve në kuadër të DIVA 2025 edhe për individët të cilëve iu ishte kërkuar plotësimi i mangësive në dokumentacion.
Deri më 15 gusht rezultonin 39,940 përfitues nga tatimi i mbipaguar dhe zbritja për fëmijët, me një vlerë totale rimbursimi prej 6.4 milionë eurosh.
Procesi përfshin individët që, pas plotësimit të Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA 2025) dhe aplikimit për rimbursim, u njoftuan nga Administrata Tatimore se dokumentacioni i paraqitur kishte mangësi. Njoftimet për këto raste u dërguan gjatë muajit qershor, duke u lënë aplikuesve një afat prej 20 ditësh për plotësimin e dokumenteve të kërkuara.
Një prej përfitueseve, me profesion mësuese, pohon se u njoftua në mesin e qershorit për mangësitë në dokumentacion. Ajo kishte aplikuar në muajin mars dhe, pas plotësimit të DIVA-s, rezultoi me tepricë kreditore në vlerën 25 mijë lekë. Aplikuesja ka dy fëmijë dhe për secilin përfiton zbritje shpenzimesh me vlerë 48 mijë lekë, ndërsa të ardhurat vjetore nuk i tejkalojnë 1.2 milionë lekë. Për rrjedhojë, ajo përfiton edhe nga njohja e shpenzimeve për arsimin e fëmijëve, brenda kufirit maksimal të përcaktuar prej 100 mijë lekësh.
Tatimet lanë 20 ditë afat për plotësimin e dokumenteve
Pas shqyrtimit të aplikimeve, Administrata Tatimore u kërkoi individëve që kishin mangësi të plotësonin dokumentacionin brenda 20 ditëve nga data e postimit të njoftimit. Në të kundërt, kërkesa për rimbursim do të anulohej.
Në njoftimet e dërguara aplikuesve verifikoheshin ndër të tjera vlera e kërkuar për rimbursimin e shpenzimeve arsimore për fëmijët nën 18 vjeç, vlera e njohur nga Tatimet pas kontrollit të dokumentacionit, teprica kreditore në sistemin informatik, shuma e Tatimit mbi të Ardhurat Individuale e miratuar për rimbursim, respektimi i kufirit të të ardhurave vjetore prej 1.2 milionë lekësh dhe plotësimi i formularit të rimbursimit në sistem.
“Brenda 20 ditëve nga data e postimit të këtij njoftimi duhet të plotësoni mangësitë e konstatuara sipas tabelës më lart, me qëllim ndjekjen e procedurave të mëtejshme të rimbursimit nga administrata tatimore”, thuhej në njoftimin e Tatimeve. Administrata paralajmëronte se, në rast të mosplotësimit të kritereve ligjore, do të vijonte me anulimin e kërkesës për rimbursimin e shpenzimeve arsimore për fëmijët nën 18 vjeç.
Në shumë raste, aplikuesit iu drejtuan ekonomistëve dhe kontabilistëve për plotësimin e mangësive. Ata u udhëzuan t'i përgjigjeshin njoftimit të Tatimeve me një shkresë sqaruese dhe të bashkëngjisnin dokumentet që provonin përmbushjen e kriterit apo të dhënës së kërkuar.
39,940 përfitues, rimbursimi arrin në 6.4 milionë euro
Administrata Tatimore vijon ndërkohë procesin e rimbursimit për individët në kuadër të DIVA 2025. Sipas të dhënave deri më 15 gusht, numri i individëve përfitues nga tatimi i mbipaguar dhe zbritja për fëmijët kishte arritur në 39,940, ndërsa vlera totale e rimbursimit në 6.4 milionë euro.
Skema parashikon njohjen e shpenzimeve deri në 100 mijë lekë për arsimin e fëmijëve nën 18 vjeç, ndërsa përfitues janë individët me të ardhura bruto vjetore deri në 1.2 milionë lekë. Përveç plotësimit të kriterit të të ardhurave, shpenzimet arsimore duhet të jenë të justifikuara me fatura fiskale, të cilat ngarkohen online në sistemin e-Filing.