Kadastra përshpejton legalizimet, por rriten edhe rastet e refuzimeve në vitin 2025
Procesi i legalizimit të ndërtimeve informale është përshpejtuar gjatë vitit 2025.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës raportoi 26,101 vendime përfundimtare për legalizimin ose përjashtimin nga procesi, nga 11,167 në vitin 2024, një rritje prej rreth 134% brenda një viti. Nga vendimmarrja e vitit të kaluar, 24,442 raste përfunduan pozitivisht me legalizim, ndërsa 1,659 u klasifikuan si vendime negative.
Volumi i vendimmarrjes në 2025 është më i larti që prej vitit 2018. Referuar shifrave, në vitin 2018 ishin marrë 30,151 vendime, ndërsa më pas numri ra në 12,018 në 2019, u rrit në 20,991 në 2020 dhe 25,088 në 2021, për t’u ulur sërish në 18,872 në 2022, 10,132 në 2023 dhe 11,167 në 2024. Me 26,101 vendime në 2025, ritmi pothuajse është rikthyer në nivelet e viteve me volum më të lartë të procesit.
Megjithatë, përshpejtimi është shoqëruar edhe me një rritje të fortë të rasteve që nuk janë pranuar për legalizim. Vetëm vendimet e moslegalizimit u rritën nga 70 në vitin 2024 në 610 në 2025, ose rreth 8.7 herë. Krahas tyre, gjatë vitit u dhanë edhe 1,049 urdhra për mospërfshirje në proces, duke e çuar totalin e vendimeve negative përfundimtare në 1,659 raste.
Në ndarjen sipas drejtorive vendore, Durrës–Kavajë–Krujë regjistroi volumin më të madh të vendimeve pozitive, me 3,022 legalizime, i ndjekur nga Tirana Veri me 2,367, Tirana Rurale 2 me 1,823, Tirana Rurale 1 dhe Elbasani me nga 1,821 secila, Shkodra me 1,740 dhe Kamëz-Vora me 1,722. Tirana Jug regjistroi 1,610 vendime legalizimi, ndërsa Lushnja 1,419.
Nga ana tjetër, disa zona kanë një numër relativisht të lartë vendimesh moslegalizimi. Pogradeci kryeson me 151 vendime të tilla, i ndjekur nga Gjirokastra me 135, Korça–Kolonja–Devolli me 116 dhe Kukësi me 77. Në Berat janë regjistruar 42 vendime moslegalizimi dhe në Tiranë Veri 26.
Procesi mbetet ende larg mbylljes. ASHK evidenton se ekziston një numër i konsiderueshëm objektesh informale që plotësojnë kriteret ligjore për legalizim, por për të cilat subjektet nuk kanë paraqitur aplikim. Institucioni evidenton gjithashtu raste me aplikime të përsëritura për të njëjtin objekt, nga i njëjti subjekt ose subjekte të ndryshme, çka ka krijuar dublime dhe ka shtuar ngarkesën administrative.
Në total, për periudhën 2006–2025, drejtoritë vendore të Kadastrës raportojnë 291,114 vendime përfundimtare, ndërsa 6,082 aplikime janë skualifikuar për mosplotësim të kritereve ligjore. Sipas të dhënave, legalizimi mbetet një komponent i procesit më të gjerë të regjistrimit të pronave dhe, në bazë të ligjit nr.20/2020, proceset kalimtare të pronësisë parashikohet të përfundojnë brenda vitit 2028.