Spar Albania blen Eco Market, po shkon drejt vendit të parë në rrjetin e supermarketeve
Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar transaksionin e propozuar mbi përftimin e kontrollit të veprimtarisë ekonomike të rrjetit të marketeve “Eco Market” nga shoqëria Spar Albania SHPK.
Kjo është lëvizja e dytë e grupit nga Kosova Viva Fresh, një vit pari hyri në tregun shqiptar, përmes blerjes së Spar Albania.
Spar Albania është rrjeti i dytë më i madh i supermarketeve në vend, pas Big Market. Në vitin 2025, Rrjeti i supermarketeve “SPAR Albania”, raportoi të ardhura prej 13.8 miliardë lekësh, me zgjerim 11.3% me bazë vjetore vetëm nga rrjeti i dyqaneve që menaxhon vetë.
Duke përfshirë dhe të ardhurat nga “SPAR Franchise”, qarkullimi total vjetor i SPAR arriti në 22.7 miliardë lekë, me rritje 12.4% me bazë vjetore, sipas të dhënave zyrtare nga kompania.
Në mes të vitit 2025, Spar Albania u bë pjesë e shoqërisë nga Kosova “Viva Fresh”, pasi kjo e fundit e bleru nga grupi Balfin.
Transaksioni u njoftua në mars 2025, ndërsa kalimi i aksioneve nga aksioneri i mëparshëm, grupi “Balfin” u realizua në 31 korrik 2025. Vlera finale e transaksionit ishte 36.4 milionë euro, sipas transaksionit të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Viva Fresh Store është një nga rrjetet më të mëdha të shitjes me pakicë në Kosovë, i themeluar në vitin 2003 në Ferizaj.
Sot kompania operon me mbi 110 dyqane në 32 qytete, punëson mbi 5,000 persona dhe ka zgjeruar aktivitetin edhe në Maqedoninë e Veriut.
Ndërsa “D & D Distribution” (ish-Eco Market Food), nuk ka shënuar ndonjë zgjerim të dukshëm vitet e fundit.
Kompania raportoi të ardhura rreth 2.3 miliardë lekë në vitin 2025, me rënie prej 9% me bazë vjetore.
Operatori më i madh në segmentin e supermarketeve vijon të mbetet Big Market, me një xhiro të konsoliduar, sipas të dhënave nga shoqëria prej gati 29 miliardë lekësh në 2025-m.