Secondary Adv

5,7 milionë euro për dy kompani për rindërtimin e Liceut Francez në Korçë

Fondi Shqiptar i Zhvillimit i ka dhënë konsorciumit “Ndertimi” dhe “Ndregjoni” kontratën për rindërtimin e Liceut Francez në Korçë.

Dy kompanitë u shpallën fituese me ofertën e tyre prej 522 milionë lekë (5,7 milionë euro) përfshirë TVSH-në, shifër kjo më e ulët se buxheti i parashikuar prej 633 milionë lekësh pa TVSH, sipas njoftimit për fituesin të publikuar nga FSHZH.


Fituesi i tenderit duhet të përfundojë të gjitha punimet e projektimit dhe ndërtimit për rikonstruksionin e një ndërtese që aktualisht përdoret nga Universiteti i Korçës, si dhe ndërtimin e një godine të re dhe të një konvikti, brenda një afati kohor prej 18 muajsh.


Kompania “Ndertimi” është themeluar në vitin 1994 dhe është në pronësi të plotë të Luan Balit. Edhe kompania “Ndregjoni” është themeluar në të njëjtin vit dhe është në pronësi të Xhetan Ndregjonit.


Projekti parashikohet të kërkojë një investim shtesë prej 1,7 deri në 2,3 milionë euro për pajisje dhe mobilim. Kostot operacionale parashikohen në rreth 2,15 milionë euro në vit dhe do të mbulohen nga buxheti i shtetit shqiptar gjatë pesë viteve të para, sipas relacionit të project-vendimit për rihapjen e liceut francez të Korçës.


Në anën tjetër, Franca do të japë kontributin e saj me rreth 594 mijë euro gjatë kësaj periudhe për të mbuluar vetëm pagën e drejtorit të shkollës. Bashkia e Korçës do të financojë veçmas kostot për konviktin dhe mensën. Gjimnazi francez u themelua në vitin 1917, kur forcat franceze hynë në Korçë dhe dëbuan pushtuesit grekë. Por shkolla u mbyll në vitin 1939, me pushtimin Italian dhe që nga ajo periudha godina me kalimin e viteve është degraduar.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat