Secondary Adv

Shqipëria ul me rreth 15 për qind tavanin e ndotjes nga emetimet e gazeve serrë për 2030

Qeveria ka vendosur një kufi më të ulët për sasinë e gazeve me efekt serrë që synon të emetojë në vitin 2030.

Sipas objektivit të ri klimatik, emetimet duhet të mbeten nën 10.21 milionë tonë CO₂ ekuivalent, nga rreth 11.98 milionë tonë që parashikonte angazhimi i miratuar në vitin 2021. Diferenca është rreth 1.77 milionë tonë, ose 14.8% më pak.


Ndryshimi është bërë me VKM nr. 646, datë 27 gusht 2026, e cila zëvendëson dokumentin e Kontributit Kombëtar të Përcaktuar që ishte miratuar në vitin 2021 me VKM nr. 581.


Në planin e vitit 2021, Shqipëria kishte marrë përsipër që deri në 2030 t’i ulte emetimet me 20.9% krahasuar me nivelin që parashikohej të arrihej nëse nuk merreshin masa të tjera për klimën. Ky skenar quhej “Business as Usual” dhe çonte në një tavan prej rreth 11.978 milionë tonësh CO₂ ekuivalent në vitin 2030.


Me dokumentin e ri, qeveria e bën objektivin më të drejtpërdrejtë. Në vend që emetimet të krahasohen me një parashikim se çfarë mund të ndodhte në të ardhmen, ato do të krahasohen me një vit real: 1990. Në atë vit, Shqipëria kishte emetime prej 7.834 milionë tonësh CO₂ ekuivalent. Për vitin 2030, kufiri i ri prej 10.21 milionë tonësh është 30.3% mbi nivelin e vitit 1990.


Plani i ri shkon edhe më tej se viti 2030. Për herë të parë vendoset një objektiv deri në 2035, kur emetimet duhet të zbresin nën 9.195 milionë tonë CO₂ ekuivalent. Ky nivel do të ishte 17.4% mbi vitin 1990. Pra, Shqipëria nuk synon që në 2035 të ketë 17.4% më pak emetime se në 1990; synimi është që rritja kundrejt vitit 1990 të kufizohet në 17.4%.


Arritja e këtyre kufijve do të kërkojë masa shtesë në energji, transport, industri, ndërtesa, bujqësi, pyje dhe menaxhimin e mbetjeve. Dokumenti i ri mbështetet pikërisht në skenarin ku këto masa realizohen dhe financohen, duke e bërë objektivin për 2030 më të fortë se ai që Shqipëria kishte marrë përsipër pesë vjet më parë.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat