Më pak ujë dhe energji, hidrocentralet pa rezervuar rrezikojnë rënie të prodhimit me 20 për qind
Ndryshimet klimatike mund të ndryshojnë ndjeshëm mënyrën se si Shqipëria prodhon energji elektrike gjatë dekadave të ardhshme.
Plani Kombëtar i Energjisë dhe Klimës vlerëson se deri në vitin 2050 prodhimi i hidrocentraleve që shfrytëzojnë drejtpërdrejt rrjedhën e lumenjve mund të bjerë me 20%, ndërsa hidrocentralet me rezervuarë mund të kenë një ecuri të kundërt, me rritje të prodhimit me 15%.
Rreziku merr peshë të veçantë për Shqipërinë për shkak të varësisë shumë të lartë nga uji. Vetë PKEK thekson se vendi prodhon pothuajse 100% të energjisë elektrike nga burimet hidroelektrike, ndaj ndryshimet në ciklin e ujit kanë ndikim thelbësor në sistemin energjetik.
Projeksionet për ndikimin e klimës bazohen në një studim të Bankës Botërore, ESMAP 2009. Sipas tij, deri në vitin 2050 prodhimi nga hidrocentralet me rezervuarë pritet të jetë 15% më i lartë, ndërsa ai nga hidrocentralet që punojnë mbi rrjedhën e lumenjve, pa të njëjtën mundësi magazinimi të ujit, parashikohet të jetë 20% më i ulët. Në të njëjtën kohë, ndryshimet klimatike vlerësohet se mund të rrisin me rreth 5% prodhimin nga impiantet fotovoltaike.
Këto shifra tregojnë edhe një ndryshim të rëndësishëm brenda vetë sektorit hidroenergjetik. Ndikimi nuk pritet të jetë i njëjtë për të gjitha hidrocentralet: më të ekspozuara rezultojnë impiantet që varen drejtpërdrejt nga prurjet e lumenjve, ndërsa hidrocentralet me rezervuarë projektohen më të favorizuara.
Për të parë se çfarë do t’i ndodhte sistemit në periudha me më pak ujë, modeli i përdorur në PKEK ndërton edhe një skenar stresi. Një në çdo pesë vite konsiderohet si vit me disponueshmëri të reduktuar të burimeve hidrike, duke nisur nga viti 2022. Në këto vite, modeli supozon se disponueshmëria e hidrocentraleve zbret në vetëm 60% të nivelit të viteve të tjera.
Megjithatë kjo nuk do të thotë se se çdo i pesti vit do të jetë domosdoshmërisht një vit thatësire. Raporti një në pesë përdoret si supozim në model për të testuar se si përballohet sistemi me vite kur burimet ujore janë ndjeshëm më të kufizuara.
Rreziku klimatik e bën kështu diversifikimin e prodhimit të energjisë më të rëndësishëm. Nëse një pjesë e hidrocentraleve mund të humbasë prodhim kur ndryshojnë prurjet e lumenjve, rritja e kapaciteteve diellore dhe burimeve të tjera mund të zvogëlojë ekspozimin e sistemit ndaj një burimi të vetëm.
Për Shqipërinë, çështja nuk është vetëm mjedisore. Një vit me prurje të dobëta mund të kthehet në problem ekonomik nëse prodhimi vendas nuk mjafton dhe mungesa duhet të mbulohet me energji të importuar. PKEK e vendos pikërisht ndryshimin e disponueshmërisë së burimeve të rinovueshme si një nga pasojat që duhet marrë parasysh në projeksionet afatgjata të sistemit energjetik.