Secondary Adv

AMF vendos rritjen e kontributit të kompanive të sigurimit në fondin e kompensimit

AMF ka miratuar rritjen e kontributit të kompanive të sigurimit në fondin për kompensimin e dëmeve nga mjetet e pasiguruara ose të paidentifikuara.

Sipas vendimit të Bordit të AMF-së, fondi i kompensimit do të shtohet më tej me 80 milionë lekë, mbi vlerën e kontributit fillestar vjetor prej 250 milionë lekësh të miratuar në janar.


Zakonisht, fondi i kompensimit i nënshtrohet një vlerësimi të ri në mesin e vitit kalendarik, kur, mbështetur në opinionet aktuariale, vlerësohet eventualisht nevoja për një shtesë të tij.


Shtimi i kontributit miratohet fillimisht nga Asambleja e Anëtarëve të fondit dhe më tej duhet të miratohet edhe nga Bordi i AMF-së.


Të dhënat e deritanishme të AMF-së tregojnë se në fund të 7-mujorit 2026, dëmet e paguara nga fondi i kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimit kishin vlerën e 88 milionë lekëve, në rënie të ndjeshme me 45% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Ndërkohë, dëmet pezull për t’u paguar nga ky Fond shënuan një rritje të lehtë, në vlerën e 684.6 milionë lekëve, 0.4% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.


Dëmet pezull përfshijnë rastet në proces vlerësimi, dëmet e miratuara, por të papaguara, apo edhe dëmet që janë objekt i çështjeve gjyqësore.


Fondi i Kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve ka për detyrë ligjore pagesën e dëmeve të shkaktuara nga mjetet e pasiguruara dhe të paidentifikuara. Më pas, Fondi ka të drejtë të ngrejë padi regresi ndaj shkaktarit të dëmit në gjykatë dhe të marrë mbrapsht shumën e paguar.


Funksionimi i Fondit kishte qenë problematik për gati 15 vjet, duke grumbulluar miliarda lekë detyrime. Vetëm pas vitit 2017, presioni nga Kuvendi i Shqipërisë dhe AMF-ja detyroi Fondin dhe kompanitë e sigurimeve të kryenin pagesat e prapambetura.


Në total, tregu i sigurimeve për shtatë muajt e parë të vitit pagoi 5.4 miliardë lekë dëme, në rritje me 12.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja ka ardhur në masën më të madhe nga tregu i Jo-Jetës, ku dëmet janë zgjeruar me 14.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës, duke përfshirë ato të paguara në fondin e kompensimit, përbëjnë më shumë se 95% të dëmeve totale të paguara nga tregu i sigurimeve.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat