Shqipëria mbështetet te tekstilet dhe veshjet për eksportet
Tekstilet dhe veshjet mbeten kategoria kryesore e eksporteve të mallrave të Shqipërisë, duke e veçuar vendin nga pjesa më e madhe e Ballkanit, ku dominojnë makineritë dhe pajisjet elektronike, energjia, kimikatet apo produktet farmaceutike.

Të dhënat për vitin 2024, të përpunuara nga Visual Capitalist mbi bazën e statistikave të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), tregojnë se struktura e eksporteve shqiptare vazhdon të jetë e përqendruar te një industri me intensitet relativisht të lartë pune.
Për Shqipërinë, “tekstile dhe veshje” rezulton kategoria më e madhe e eksporteve në vitin 2024. Kjo e vendos vendin në të njëjtin grup me një numër shtetesh si Bangladeshi, Pakistani, Sri Lanka, Kamboxhia dhe Uzbekistani, ku tekstilet dhe industria e veshjeve vazhdojnë të kenë rol dominues në shitjet jashtë vendit.
Ballkani ka një strukturë shumë më të larmishme eksportesh
Pamja ndryshon mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia kanë si kategorinë kryesore makineritë dhe pajisjet elektronike, ndërsa Maqedonia e Veriut mbështetet më shumë te kimikatet dhe produktet farmaceutike. Mali i Zi, në anën tjetër, renditet te lëndët djegëse, ndërsa Shqipëria mbetet te tekstilet dhe veshjet.
Edhe në Ballkanin më të gjerë dallimet janë të forta. Bullgaria dhe Rumania kanë si kategori kryesore makineritë dhe elektronikën, Greqia lëndët djegëse, Kroacia bujqësinë dhe ushqimet, ndërsa Sllovenia kimikatet dhe produktet farmaceutike. Për Turqinë, kategoria kryesore është pajisjet e transportit. Kështu, Shqipëria është ndër vendet e rajonit ku industria e tekstileve dhe veshjeve ka ende peshën më të madhe në strukturën e eksporteve të mallrave.
Në nivel botëror, megjithatë, janë produktet bujqësore dhe ushqimore ato që dominojnë hartën. Sipas Visual Capitalist, kjo është kategoria më e madhe e eksportit për gati një të tretën e vendeve të botës. Në këtë grup hyjnë ekonomi shumë të ndryshme, nga Argjentina dhe Brazili te Egjipti, Spanja dhe Ukraina.
Një tjetër grup i madh ekonomish mbështetet te pasuritë e nëntokës. Kanadaja, Nigeria dhe Arabia Saudite janë ndër vendet ku lëndët djegëse përbëjnë kategorinë kryesore të eksporteve, ndërsa Algjeria, Rusia dhe Katari mbështeten fort te rezervat e gazit natyror. Kili dhe Peruja shfaqen te produktet minerare, të mbështetura historikisht te bakri dhe, gjithnjë e më shumë, te rezervat e litiumit. Australia gjithashtu renditet te produktet minerare, ndërsa Republika Demokratike e Kongos ka një bazë të rëndësishme mineralesh si kobalti dhe koltani.
Ekonomitë më të mëdha dominohen nga makineritë dhe elektronika
Kontrasti më i fortë shfaqet te ekonomitë e industrializuara. Katër ekonomitë më të mëdha të botës – Shtetet e Bashkuara, Kina, Gjermania dhe Japonia – kanë të gjitha makineritë dhe pajisjet elektronike si kategorinë kryesore të eksporteve. Në këtë grup hyjnë si produkte industriale me vlerë të lartë, përfshirë automjetet dhe makineritë, ashtu edhe produkte teknologjike si mikroçipat.
Po kështu dhe Holanda klasifikohet te makineritë dhe elektronika dhe është vendi ku ndodhet ASML, një prej kompanive kyçe globale për pajisjet që përdoren në prodhimin e gjysmëpërçuesve. Edhe Meksika dhe Polonia futen në grupin e makinerive dhe elektronikës, të mbështetura ndër të tjera nga industria e automjeteve.
Në qendër të hartës globale të prodhimit mbetet Kina, eksportuesi më i madh në botë. Visual Capitalist nënvizon se suficiti tregtar kinez ka kaluar 1 trilion dollarë në vitet e fundit, ndërsa vendi ka zëvendësuar SHBA-në si fuqia kryesore prodhuese globale gjatë shekullit XXI. Megjithatë, zinxhirët e prodhimit mbeten të ndërvarur: Kina, për shembull, është blerësi kryesor i sojës braziliane dhe një nga blerësit kryesorë të naftës iraniane.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)