Secondary Adv

Kostot e energjisë, ujësjellësit shkojnë drejt investimeve në fotovoltaikë, projekti 2 mln euro

Fatura e energjisë elektrike, një nga kostot më të mëdha për ujësjellësit që mbështeten te pompimi, po i shtyn këta të fundit drejt investimeve në energjinë fotovoltaike.

Një rast është ai i Ujësjellësit të Elbasanit, i cili së fundmi lidhi një kontratë prej 197.1 milionë lekësh, rreth 2 milionë euro, për rritjen e eficiencës dhe instalimin e paneleve fotovoltaike.


Investimi synon të ulë koston e energjisë që përdoret për pompimin e ujit, përmes ndërhyrjeve në pajisjet elektromekanike dhe prodhimit të energjisë nga burime fotovoltaike. Raporti teknik i projektit tregon se vetëm sistemet Mengel/Frigorifer, Krastë e Vogël, Cërrik dhe Peqin përfaqësojnë rreth 75 për qind të konsumit të energjisë së sistemeve të furnizimit me ujë në rajonin e Elbasanit. Në fazën e auditimit, ndërhyrjet e propozuara synonin uljen e konsumit përmes pompave më eficiente dhe energjisë diellore.


Një nga ndërhyrjet e detajuara është ajo në Krastë të Vogël, ku projekti parashikon zëvendësimin e pompave dhe rehabilitimin e infrastrukturës së stacionit të pompimit. Në fazën e projekt-idesë, vetëm përmirësimi i pompimit vlerësohej të sillte një reduktim prej 34.2 për qind të energjisë së konsumuar nga sistemi, me kursim rreth 428 MWh në vit, të barasvlershëm me rreth 50,500 euro në vit.


Panelet fotovoltaike shtojnë një komponent të dytë të kursimit. Raporti ka modeluar instalime që mbulojnë 25 për qind, 50 për qind dhe 100 për qind të energjisë neto të konsumuar në Krastë të Vogël. Për variantin që mbulon 25 për qind të konsumit, projekti i parafizibilitetit parashikonte, së bashku me ndërhyrjet në pompa, një reduktim prej 50.6 për qind të konsumit të energjisë, ose rreth 634 MWh kursim në vit.


Kostot e larta nxisin investimet në fotovoltaikë


Zgjedhja e fotovoltaikëve lidhet edhe me profilin e sektorit. Ujësjellësit janë konsumatorë të mëdhenj të energjisë, pasi një pjesë e konsiderueshme e ujit prodhohet dhe transportohet me ngritje mekanike.


Enti Rregullator i Ujit (ERRU), në raportet e tij vjetore, e cilëson energjinë elektrike si një nga zërat kryesorë të kostove operative dhe ka rekomanduar auditime të eficiencës, identifikimin e pajisjeve me konsum të lartë dhe investime në pajisje më eficiente dhe burime të rinovueshme.


Pesha e kësaj kostoje shihet edhe te subvencionet. Sipas Raportit Vjetor 2025 të ERRU, 88.8 për qind e fondit prej 350 milionë lekësh të subvencioneve për sektorin u përdor për mbulimin e kostove të energjisë elektrike. Elbasani ishte mes gjashtë shoqërive që përfituan nga kjo skemë, e destinuar për operatorët ku mbi 75 për qind e ujit prodhohet me ngritje mekanike.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat