Secondary Adv

FSHZH hap procedurën për transformimin e sheshit Nënë Tereza, investimi mbi 2 mld lekë

Projekti parashikon transformimin e Sheshit “Nënë Tereza” me parkim, muze, kapelë dhe funksione nëntokësore.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur procedurën e prokurimit për një prej ndërhyrjeve më të mëdha të parashikuara në qendër të Tiranës, transformimin e Sheshit “Nënë Tereza” në një hapësirë publike multifunksionale, me parkim dhe një kompleks të gjerë funksionesh nëntokësore. Fondi limit është përcaktuar në mbi 2 miliardë lekë pa TVSH, ose rreth 22.5 milionë euro. Relacioni teknik tregon se ndërhyrja shkon përtej ndërtimit të një parkimi, duke synuar një rikonceptim tërësor të Sheshit “Nënë Tereza”, me orientimin e sipërfaqes drejt këmbësorëve dhe zhvendosjen e një pjese të funksioneve në nëntokë.


Sipas projektit, parashikohet rikthimi i sheshit në një hapësirë të dedikuar për këmbësorët, krijimi i një Kapeleje kushtuar Nënë Terezës, hapësira shërbimi për vizitorët dhe turistët, një parkim nëntokësor, si dhe një muze arkeologjik nëntokësor, i vendosur poshtë nivelit të parkimit.


Trafiku zhvendoset në nëntokë, tre rampa për qarkullimin


Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me qarkullimin e automjeteve. Projekti parashikon që trafiku që sot kalon në sipërfaqen e sheshit të zhvendoset në nëntokë. Për këtë qëllim janë projektuar tre rampa me nga dy korsi. Njëra do të vendoset në aksin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin ndërmjet Pallatit të Kongreseve dhe Presidencës, ndërsa dy të tjera në rrugën “Lek Dukagjini”, përballë Korpusit Universitar. Rampat do të lidhen me një unazë qarkullimi nëntokësore, në qendër të së cilës do të pozicionohet parkimi.


Parkimi është projektuar me një kapacitet prej rreth 170 vendesh dhe do të lidhet me hapësirat publike mbi tokë, muzeun dhe funksionet e tjera të kompleksit përmes korridoreve për këmbësorët, shkallëve dhe ashensorëve. Synimi i deklaruar në projekt është lirimi i sipërfaqes së sheshit nga automjetet dhe ruajtja e karakterit monumental të tij.


Muzeu arkeologjik deri në 19 metra nën tokë


Projekti krijon disa shtresa funksionale poshtë sheshit. Në kuotën -4 metra parashikohet një shesh i poshtëm, i cili do të shërbejë edhe si nyje shpërndarëse drejt bar-restorantit, Kapeles së Nënë Terezës dhe hollit të muzeut. Parkimi është konceptuar në nivelin -7.75 metra, ndërsa niveli kryesor i muzeut arkeologjik zbret deri në kuotën -19 metra. Për muzeun parashikohen tre ashensorë standardë për vizitorët dhe një ashensor mallrash me kapacitet 2,000 kilogramë.


Në kompleks parashikohet një hapësirë pritjeje dhe hyrjeje për muzeun prej rreth 500 m², ndërsa Kapela e Nënë Terezës është konceptuar me një sipërfaqe prej afërsisht 700 m². Projekti përfshin gjithashtu rreth 340 m² për një bar-restorant, si funksion shërbimi për kompleksin dhe vizitorët.


Tre zona me shatërvane dhe hapësirë për aktivitete publike


Relacioni teknik parashikon gjithashtu një rikonceptim të sipërfaqes së vetë sheshit. Ideja është që pjesa më e madhe e volumit të ri të zhvillohet nëntokë, në mënyrë që të mos konkurrojë vizualisht me ndërtesat monumentale që rrethojnë Sheshin “Nënë Tereza”, përfshirë Universitetin Politeknik.


Në nivelin e sipërfaqes parashikohen edhe tre zona me shatërvane, të konceptuara në të njëjtin nivel me shtrimin e sheshit. Kjo do të bëjë të mundur që, kur shatërvanet nuk funksionojnë, sipërfaqja të përdoret normalisht për këmbësorët, aktivitete publike, ceremoni apo ekspozita. Në dokumentacionin teknik, ndërhyrja përshkruhet si një sistem i vetëm strukturor që bashkon parkimin, muzeun arkeologjik, kapelën dhe hapësirat publike mbi tokë.

Burimi: Ekofini.al


Më të lexuarat