Për çfarë i shpenzojnë paratë shqiptarët: 29 për qind për ushqime, gati trefishi i BE
Shqiptarët kanë një nivel konsumi individual shumë më të ulët se mesatarja europiane, por për ushqimet shpenzojnë pothuajse po aq euro për frymë sa qytetarët e Bashkimit Europian.

Ky kontrast bën që ushqimet të marrin një pjesë shumë më të madhe të konsumit në Shqipëri, duke zënë 29 për qind të totalit, ose 2.8 herë më shumë se pesha mesatare në BE.
Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2025, konsumi individual aktual në Shqipëri arrin në 8,656 euro për banor në vit, ose rreth 20.3 miliardë euro në shkallë vendi. Mesatarja e BE-së është 27,463 euro për frymë, çka do të thotë se konsumi individual për frymë në Shqipëri është vetëm rreth 32 për qind e nivelit mesatar të një banori të Bashkimit Europian.
Diferenca më e fortë shfaqet te ushqimet për peshën që zënë ndaj totalit, por jo për vlerën absolute. Nga 8,656 euro që përbëjnë konsumin vjetor për banor në Shqipëri, 2,513 euro shkojnë për ushqime dhe pije joalkoolike. Në total, kjo kategori përllogaritet në rreth 5.9 miliardë euro, ose 29 për qind të gjithë konsumit individual.
Në BE, për ushqime shpenzohen mesatarisht 2,847 euro për frymë, pra vetëm rreth 13 për qind më shumë në vlerë absolute se në Shqipëri. Por, për shkak të nivelit shumë më të lartë të konsumit në dispozicion, që krijon më shumë mundësi për shpenzime në kategoritë e tjera, pesha e ushqimeve në shportën europiane është vetëm 10.4 për qind. Kështu, ushqimet zënë në Shqipëri një pjesë 2.8 herë më të lartë të konsumit sesa mesatarja e BE-së.
Banesa dhe energjia marrin 13.5 për qind të konsumit
Pas ushqimeve, ndër kategoritë me peshën më të madhe në Shqipëri janë shpenzimet për banesën dhe energjinë. Për banesën, ujin, energjinë elektrike, gazin dhe lëndët e tjera djegëse llogariten 1,172 euro për banor, ose rreth 2.75 miliardë euro gjithsej. Kjo kategori merr 13.5 për qind të konsumit, më pak se niveli prej 18.8 për qind në BE.
Edhe mobilimi, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja e banesës kanë një peshë dukshëm më të lartë në Shqipëri. Për këtë grup shpenzohen 751 euro për banor, ose rreth 1.77 miliardë euro në total. Kategoria përbën 8.7 për qind të konsumit, kundrejt vetëm 3.8 për qind në BE.
Në të kundërt, shëndetësia merr një pjesë më të vogël të konsumit shqiptar. Eurostat llogarit 662 euro për frymë, ose rreth 1.56 miliardë euro në nivel vendi, ekuivalente me 7.6 për qind të totalit. Në Bashkimin Europian, pesha arrin në 13.4 për qind.
Edhe transporti zë më pak peshë në strukturën shqiptare, me 576 euro për banor dhe rreth 1.36 miliardë euro në total, ose 6.7 për qind, përkundrejt 9.9 për qind në BE. Për restorante dhe akomodim përllogariten 427 euro për frymë, ndërsa pjesa ndaj konsumit është 4.9 për qind, krahasuar me 7.2 për qind në Union.
Për veshje dhe këpucë, një shqiptar shpenzon mesatarisht 205 euro në vit, ose 2.4 për qind të totalit, kundrejt 881 eurove mesatarisht në BE, ku kjo kategori përfaqëson 3.2 për qind të konsumit.
Rekreacioni, sporti dhe kultura me peshë të lartë në statistika
Një nivel i lartë shpenzimesh raportohet për zërin “Rekreacion, sport dhe kulturë”, ku përfshihen edhe paketat turistike. Në Shqipëri përllogariten 1,162 euro për frymë, me një vlerë totale prej rreth 2.73 miliardë eurosh, kundrejt 1,900 eurove për frymë mesatarisht në BE. Pesha e kësaj kategorie arrin në 13.4 për qind në Shqipëri, pothuajse dyfishi i mesatares europiane prej 6.9 për qind.
Ky zë në pamje të parë duket shumë i lartë, por shifra lidhet edhe me mënyrën se si ndërtohen llogaritë kombëtare dhe jo vetëm me shpenzimet e drejtpërdrejta të familjeve për argëtim. INSTAT, i cili është burimi i parë i të dhënave për Shqipërinë, shpjegon se konsumi final i familjeve nuk merret vetëm nga Anketa e Buxhetit të Familjeve, por rindërtohet nga një numër burimesh administrative dhe ekonomike.
Pikërisht për grupin “Rekreacion dhe kulturë”, INSTAT shpjegon se paketat turistike vlerësohen duke ekstrapoluar të dhënat sipas prodhimit të sektorit të akomodimit dhe ushqimit, ndërsa pajisjet audiovizive, pajisjet e mëdha për rekreacion, artikujt rekreativë, kopshtaria, kafshët shtëpiake, librat dhe kancelaria vlerësohen edhe nga prodhimi i tregtisë. Pajisjet audio dhe video janë vlerësuar gjithashtu nga importet, duke u shtuar TVSH-ja dhe marzhi tregtar.
Në kontrast, Anketa e Buxhetit të Familjeve 2024, ku familjet raportojnë drejtpërdrejt shpenzimet e tyre, e nxjerr rekreacionin dhe kulturën me një peshë prej vetëm 2.6 për qind.
Eurostat shpjegon se treguesi i konsumit individual aktual është më i gjerë se pagesat që familjet bëjnë drejtpërdrejt nga xhepi, pasi përfshin edhe shërbime individuale të financuara nga shteti, sidomos në fusha si shëndetësia dhe arsimi.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)