KPP i hap rrugë tenderit 7.8 milionë euro për mirëmbajtjen e sistemit të fiskalizimit
Komisioni i Prokurimit Publik i ka hapur rrugë vijimit të tenderit me fond limit rreth 7.8 milionë euro për mirëmbajtjen e sistemit të fiskalizimit.
Vendimi vjen pasi AKSHI zbatoi kërkesën e mëparshme të KPP-së për rivlerësimin e procedurës dhe kualifikimin e një ofertuesi të skualifikuar më parë.
KPP vendosi më 4 shtator që Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit të vijojë me hapat e mëtejshëm të procedurës së prokurimit për “Mirëmbajtjen e Modulit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve”. Tenderi ka një fond limit prej 770.8 milionë lekësh pa TVSH, ekuivalent me rreth 7.79 milionë euro.
Vendimi pason një ankesë të pranuar nga KPP më 20 gusht ndaj rezultatit të vlerësimit. Në atë vendim, Komisioni urdhëroi AKSHI-n të anulonte skualifikimin e një bashkimi operatorësh ekonomikë dhe ta kualifikonte atë në procedurë.
“Autoriteti kontraktor të anulojë vendimin e KVO-së mbi skualifikimin […] duke e kualifikuar atë”, përcaktoi KPP në vendimin e 20 gushtit.
AKSHI kreu rivlerësimin e ofertave
Pas vendimit, AKSHI i raportoi Komisionit se kishte zbatuar kërkesën dhe paraqiti procesverbalin e shqyrtimit dhe rivlerësimit të ofertave. KPP kreu më pas verifikimin e procedurës në Sistemin e Prokurimeve Elektronike.
Nga verifikimi rezultoi se AKSHI kishte kryer rivlerësimin dhe kishte kualifikuar ofertuesin e skualifikuar më parë, në përputhje me vendimin e 20 gushtit. “Autoriteti kontraktor ka kryer rivlerësimin e procedurës së prokurimit”, thuhet në vendim, ndërsa KPP konkludon se AKSHI “ka zbatuar vendimin” e tij të mëparshëm.
Mbi këtë bazë, Komisioni vendosi që procedura të vijojë. Tenderi zhvillohet nga AKSHI për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe lidhet me mirëmbajtjen e modulit që mbështet menaxhimin dhe kontrollin e faturimit në sistemin e fiskalizimit.
Vendimi nuk shpall fituesin e tenderit
Vendimi i KPP-së nuk përcakton fituesin e tenderit dhe as vlerën përfundimtare të kontratës. Ai i jep autoritetit kontraktor të drejtën të kalojë në fazat pasuese të procedurës, pasi është përfunduar rivlerësimi i kërkuar nga Komisioni.
Procedura e prokurimit për mirëmbajtjen e Modulit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit u publikua nga AKSHI më 29 prill 2025, me fond limit 770.8 milionë lekë pa TVSH. Procesi u zgjat në kohë dhe, sipas vendimit të KPP-së, procedura u zhvillua më 5 mars 2026, përpara se të kalonte në fazën e ankimeve dhe rivlerësimit.