Ekonomia e përqendruar në tri qarqe, Tirana, Fieri dhe Durrësi prodhojnë rreth 65 për qind të PBB
Gati gjysma e ekonomisë së Shqipërisë është e përqendruar vetëm në qarkun e Tiranës, ndërsa së bashku me Fierin dhe Durrësin, tri qarqet prodhojnë afro dy të tretat e Produktit të Brendshëm Bruto të vendit.
Të dhënat rajonale të INSTAT-it për vitin 2023 tregojnë diferenca të forta territoriale në aktivitetin ekonomik.
Në vitin 2023, Tirana gjeneroi rreth 1.036,9 miliardë lekë Produkt të Brendshëm Bruto, ose 43,86 për qind të PBB-së së gjithë vendit, ndërsa ekonomia kombëtare vlerësohej në 2.364,2 miliardë lekë.
Përqendrimi bëhet edhe më i dukshëm kur Tiranës i shtohen Fieri dhe Durrësi. Fieri gjeneroi 249,9 miliardë lekë dhe përfaqësoi 10,57 për qind të PBB-së, ndërsa Durrësi 244 miliardë lekë, ose 10,32 për qind. Së bashku, tre qarqet prodhuan rreth 1.530,8 miliardë lekë, ose 64,75 për qind të të gjithë PBB-së së Shqipërisë.
Në skajin tjetër është Kukësi, me vetëm 33,9 miliardë lekë PBB dhe një peshë prej 1,44 për qind në ekonominë kombëtare. Kjo do të thotë se, në vlerë të përgjithshme, ekonomia e qarkut Tiranë ishte rreth 30 herë më e madhe se ajo e Kukësit në vitin 2023.
Tirana dha më shumë se gjysmën e kontributit në rritjen ekonomike
Tirana nuk ka vetëm peshën më të madhe në madhësinë e ekonomisë, por dha edhe kontributin kryesor në rritjen e saj. Ekonomia shqiptare u rrit në terma realë me 4,02 për qind në vitin 2023, ndërsa kontributi i qarkut Tiranë në këtë rritje ishte 2,06 pikë përqindjeje. Kjo përfaqëson pak më shumë se gjysmën e rritjes reale kombëtare. Pas Tiranës, kontributin më të madh e dhanë Fieri me 0,43 pikë përqindjeje dhe Durrësi me 0,42 pikë përqindjeje.
Megjithatë, qarku me ritmin më të lartë të rritjes reale nuk ishte Tirana. Vlora u rrit me 5,22 për qind, Tirana me 4,71 për qind dhe Fieri me 4,13 për qind, ndërsa rritjen më të ulët e regjistroi Shkodra me 1,32 për qind. Diferenca qëndron te pesha shumë më e madhe e Tiranës në ekonominë kombëtare, çka bën që edhe një normë rritjeje më e ulët se ajo e Vlorës të ketë ndikim shumë më të madh në rezultatin e përgjithshëm të vendit.
Rritet pesha e Tiranës në ekonominë kombëtare
Përqendrimi ekonomik në kryeqytet është rritur lehtë edhe në raport me një vit më parë. Pesha e Tiranës në PBB-në kombëtare kaloi nga 43,78 për qind në vitin 2022 në 43,86 për qind në vitin 2023. Në të njëjtën periudhë, PBB-ja me çmime korente e qarkut u rrit nga 941,3 miliardë në 1.036,9 miliardë lekë, ndërsa rritja nominale ishte 10,16 për qind.
Të dhënat nxjerrin në pah një ekonomi me diferenca të forta territoriale, ku një qark i vetëm gjeneron afro 44 për qind të PBB-së, ndërsa Tirana, Fieri dhe Durrësi së bashku afro dy të tretat. Përtej ritmit të rritjes së secilit qark, shifrat tregojnë se rezultati ekonomik kombëtar vazhdon të varet në masë të madhe nga aktiviteti i përqendruar në Tiranë.