Secondary Adv

Ngërçi i pagave: Pas Tiranës, bojkotohet puna edhe në gjykatat e Fierit, Vlorës e Lushnjes

Ngërçi me pagat e muajit gusht në sistemin e drejtësisë ka zgjeruar bojkotin e administratës gjyqësore.

Pas Tiranës, shërbimet për qytetarët dhe avokatët janë bllokuar edhe në gjykatat e Fierit, Vlorës dhe Lushnjes, ndërsa për shumicën e dosjeve janë pezulluar proceset gjyqësore. Do të zhvillohen vetëm seancat me karakter urgjent, përfshirë masat e sigurisë.


Për të dytën ditë radhazi, administrata e Gjykatës së Tiranës vijon bojkotin për shkak të mosmarrjes së pagave të gushtit. Punonjësit dhe sekretarët gjyqësorë të Dhomës Civile dhe asaj Penale nuk po ofrojnë shërbime dhe kërkojnë sqarime se kur do të ekzekutohen pagat e tyre. Për të mos penalizuar personat e arrestuar, do të zhvillohen vetëm seancat për masat e sigurisë.


Bojkotit i është bashkuar administrata e Gjykatës së Fierit, ndërsa bllokim të shërbimeve ka edhe në Vlorë dhe Lushnje. Në Fier nuk po ofrohet asnjë shërbim për qytetarët dhe, përveç masave të sigurisë, proceset e tjera gjyqësore nuk do të zhvillohen.


Ngërçi nisi pas mosmiratimit të formulës së re të pagave

Situata lidhet me përplasjen institucionale për pagat e magjistratëve. Kuvendi nuk miratoi brenda afatit të 31 korrikut formulën e re të pagave, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese. Pas përfundimit të këtij afati, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë argumentuan se ishin të detyruar të zbatonin vetë vendimin e Kushtetueses dhe përcaktuan pagën e re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë që ishte më parë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.


Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përllogaritura me rritjen, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit. Ministria kërkoi që listëpagesat të ridërgoheshin sipas metodologjisë së mëparshme. Si pasojë e këtij ngërçi, pa pagat e muajit gusht kanë mbetur jo vetëm gjyqtarët dhe prokurorët, por edhe punonjësit e administratës së gjykatave dhe prokurorive.


Gjyqtarët thërrasin mbledhje të jashtëzakonshme më 10 shtator

Situata solli edhe mbledhjen e kryetarëve të gjykatave në Gjykatën e Lartë, ku u vendos që më 10 shtator të thirret një mbledhje e jashtëzakonshme e Përgjithshme e Gjyqtarëve.


Edhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, mblodhi drejtuesit e prokurorive, përfaqësues të KLP-së dhe Shoqatën e Prokurorëve. Në takim u theksua nevoja për një zgjidhje të shpejtë nga Kuvendi, në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.


Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se “u dakordësua vijimi i trajtimit të kësaj çështjeje përmes instrumenteve ligjore, në funksion të garantimit të pavarësisë dhe funksionimit normal të sistemit të drejtësisë”.


Avokati: Bojkoti është i drejtë, por qytetarët duhej të njoftoheshin

Në Gjykatën e Fierit, avokati Jurid Sharka deklaroi se e mbështet bojkotin, por kritikoi mungesën e një njoftimi paraprak për qytetarët që kishin procese apo shërbime të planifikuara.


“Në një mënyrë të papritur, janë njoftuar qytetarët që do ketë bojkot, nuk do ketë as shërbim sekretarie as procese gjyqësore, përveç masave të sigurisë. Procese të tjera është vendosur të mos zhvillohen dhe ka ardhur në një formë të papritur. Bojkoti është i drejtë, në zbatim të të gjitha kritereve ligjore që përcaktohen në kushtetutën shqiptare, por që do ta mbështesin bojkotin duke marrë masa paraprake për njoftimin e zhvillimit të këtij bojkoti”, tha avokati.


Zgjerimi i bojkotit nga Tirana drejt Fierit, Vlorës dhe Lushnjes tregon përshkallëzimin e ngërçit në sistemin e drejtësisë, ndërsa administrata gjyqësore kërkon një zgjidhje urgjente që do të mundësonte ekzekutimin e listëpagesave dhe rikthimin normal të shërbimeve.



Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat