Kredia studentore me subvencionim nga shteti, skema mbulon tarifat dhe kostot e jetesës
Studentët që nuk arrijnë të përballojnë me të ardhurat familjare tarifat universitare apo shpenzimet e jetesës do të kenë sërish mundësi t'i financojnë ato përmes skemës së kredisë studentore.
Një pjesë e interesit mbulohet nga shteti, ndërsa kredia jepet pa kolateral fizik dhe shlyerja nis pas përfundimit të kohëzgjatjes normale të studimeve.
Ministria e Arsimit dhe Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë kanë hapur procedurën për përzgjedhjen e bankave që do të ofrojnë kreditë për vitin e ri akademik. Bankat e interesuara duhet të konkurrojnë për normën e interesit, ndërsa në përzgjedhje do të favorizohet oferta me normën më të ulët.
Skema nuk financon vetëm tarifën e universitetit. Në kredi mund të përfshihen edhe shpenzimet e jetesës së studentit, duke u dhënë mundësi përfituesve të mbulojnë një pjesë më të gjerë të kostove që lidhen me ndjekjen e studimeve. Sipas rregullave të programit, kredia studentore jepet pa kolateral fizik.
Shteti subvencionon deri në 5 pikë përqindjeje të interesit
Financimi kryhet me këste gjatë viteve të studimit dhe vazhdimi i tij lidhet me frekuentimin e universitetit dhe shlyerjen e tarifës përkatëse të shkollimit. Një pjesë e interesit subvencionohet nga buxheti i shtetit.
Për studentët që plotësojnë kushtet e skemës, shteti mund të financojë deri në 5 pikë përqindjeje të normës së interesit. Në këtë mënyrë reduktohet kostoja financiare që duhet të përballojë vetë studenti gjatë shlyerjes së kredisë.
Edhe norma e interesit që mund të ofrojnë bankat është e kufizuar. Ajo duhet të jetë më e ulët se interesi mesatar që banka ka aplikuar për kreditë konsumatore gjatë dy viteve të fundit dhe nuk mund të ndryshojë gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës së kredisë.
Shlyerja nis pas përfundimit të studimeve
Studenti nuk është i detyruar të nisë shlyerjen e kredisë gjatë periudhës kur vazhdon universitetin. Sipas skemës, pagesa e detyrimeve fillon jo më herët se përfundimi i kohëzgjatjes normale të programit të studimit. Megjithatë, kredimarrësi ka të drejtë të zgjedhë ta shlyejë kredinë edhe më herët.
Kjo formulë synon t'u japë studentëve mundësinë të përfundojnë programin e tyre universitar përpara se të nisë detyrimi për kthimin e financimit të marrë, ndërsa kredia mund të mbulojë njëkohësisht tarifën e shkollimit dhe shpenzimet e jetesës.
Aplikimet bëhen përmes e-Albania
Studentët duhet të aplikojnë për përfitimin e kredisë përmes platformës e-Albania brenda 30 ditëve nga nisja e vitit akademik. Nga kjo skemë nuk mund të përfitojnë studentët që ndjekin një program të dytë studimi.
Skema e kreditimit studentor është në fuqi prej vitit 2023 dhe synon të krijojë një mundësi financimi për studentët që nuk mund t'i përballojnë me të ardhurat familjare kostot e shkollimit dhe të jetesës gjatë viteve të universitetit.