Secondary Adv

Euro në rënie edhe në shtator, pranë thyerjes së kufirit të 92 lekëve

Kursi i këmbimit të Euros po vijon rënien edhe në dhjetëditëshin e parë të shtatorit, duke iu afruar sërish minimumit historik.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye me 92.02 lekë, vetëm 0.01 lekë mbi nivelin minimal prej 92.01 lekësh të regjistruar më 3 shtator.


Që nga fillimi i vitit, kursi i këmbimit Euro-Lek ka rënë me 4.9 për qind, ndërsa krahasuar me një vit më parë Euro është zhvlerësuar me 5.3 për qind. Sipas agjentëve të këmbimit valutor, oferta e Euros në treg vazhdon të jetë e lartë, çka mund të shpjegohet pjesërisht me zgjatjen e sezonit të pushimeve verore dhe flukset e larta hyrëse të lidhura me të.


Ndërkohë, hipotizohet se rënia e vazhdueshme e Euros gjatë viteve të fundit po sjell edhe ulje të kërkesës për monedhën europiane në transaksionet e brendshme ekonomike. Në tregun e pasurive të paluajtshme, për shembull, ka nisur të vërehet një zhvendosje e kuotimeve dhe shitjeve drejt Lekut.


Kreditë dhe depozitat po zhvendosen drejt Lekut

Zhvlerësimi i Euros, por edhe interesat më të ulëta të Lekut gjatë viteve të fundit, janë shoqëruar me një zhvendosje masive të kreditimit të individëve drejt monedhës vendase. Kjo tendencë ka përfshirë edhe konvertimin e kredive ekzistuese nga Euro në Lekë.


Pjesërisht, një prirje e tillë po vërehet edhe te depozitat. Të gjithë këta faktorë kanë ndikuar në rritjen e shitjes së Euros dhe shtimin e kërkesës për Lekë në tregun valutor.


Banka e Shqipërisë e shpjegon forcimin e Lekut kryesisht me përmirësimin e vazhdueshëm të Bilancit të Pagesave. Statistikat treguan se në tremujorin e parë të vitit deficiti i llogarisë korrente u tkurr në 228 milionë euro, në rënie me 28 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Në të njëjtën kohë, investimet e huaja direkte arritën në 404 milionë euro, duke shënuar një rekord të ri historik për këtë periudhë të vitit. Investimet u rritën me 11.6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.


Sipas Bankës Qendrore, analiza e kombinuar e të dhënave të tregut valutor dhe atyre të Bilancit të Pagesave deri në tremujorin e parë rikonfirmoi lidhjen e ngushtë ndërmjet vëllimeve të tregtimit në tregun valutor dhe flukseve të shkëmbimeve të mallrave dhe shërbimeve me jashtë.


Suficiti buxhetor shton presionet për forcimin e Lekut

Nga ana tjetër, politika e ndjekur nga qeveria shqiptare gjatë viteve të fundit, me suficite të mëdha buxhetore në pjesën dërrmuese të vitit, besohet se po ushtron një ndikim shtesë në forcimin e Lekut. Për 7-mujorin 2027, buxheti ishte në suficit në vlerën e 50.7 miliardë lekëve, në rritje me 60 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Banka e Shqipërisë vijon blerjet e valutës

Banka e Shqipërisë vazhdon të blejë valutë me qëllim frenimin e ritmit të shpejtë të rënies së kursit të Euros, por këtë vit efektshmëria e ndërhyrjeve të saj ka qenë më e ulët.


Shifrat e ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë janë bërë publike vetëm deri në fund të tremujorit të parë, kur u blenë afërsisht 140 milionë euro, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Shifrat për periudhën në vazhdim nuk janë bërë ende publike, por, mbështetur në vlerësime të tërthorta, analistët e tregut besojnë se blerjet janë rritur më tej krahasuar me të njëjtat periudha të dy viteve të mëparshme.


Më herët, gjatë periudhës 2024-2025, Banka Qendrore kishte tërhequr më shumë se dy miliardë euro nga tregu, në përpjekje për të ngadalësuar forcimin e monedhës vendase.



Burimi: Monitor


Më të lexuarat