BE dhe Franca investojnë 118 mln euro në Durrës për një sistem të ri trajtimi të ujërave të ndotura
Investimi synon të modernizojë kanalizimet e Durrësit dhe të rrisë ndjeshëm trajtimin e ujërave të ndotura sipas standardeve të BE-së.
Bashkimi Evropian, Agjencia Franceze e Zhvillimit dhe Shqipëria kanë shënuar nisjen e fazës së parë të një projekti të madh për përmirësimin e infrastrukturës së ujërave të ndotura në Durrës, në përputhje me standardet e BE-së. Investimi synon përmirësimin e shërbimeve sanitare për qytetarët, reduktimin e ndotjes së bregdetit të Adriatikut dhe përafrimin e mëtejshëm të Shqipërisë me kërkesat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Financimi kombinon një grant të BE-së prej 85 milionë eurosh, të ofruar përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor, me një kredi sovrane prej 33.4 milionë eurosh nga Agjencia Franceze e Zhvillimit (AFD). Projekti do të zbatohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK).
Drejtori Ekzekutiv i AFD-së, Christophe Lecourtier, ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, dhe shefja e Bashkëpunimit të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Ritva Heikkinen, së bashku me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, dhe kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, vizituan vendndodhjen e projektit. Punimet pritet të fillojnë në vitin 2027.
BE: Një nga investimet më të mëdha me grante në Shqipëri
“Ky është një nga investimet më të mëdha të BE-së në grante në Shqipëri deri më sot, dhe ne presim me padurim të shohim ndikimin e tij në jetën e banorëve të Durrësit, si dhe në cilësinë e ujërave të Detit Adriatik. Përmirësimi i infrastrukturës së ujërave të ndotura sipas standardeve të BE-së është një pjesë e rëndësishme e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe kërkon investime të konsiderueshme”, tha Ritva Heikkinen.
Sipas saj, projekti përfaqëson një hap të rëndësishëm për adresimin e nevojave shumë më të mëdha të Shqipërisë për investime mjedisore, ndërsa BE-ja është e gatshme ta mbështesë vendin në përgatitjen e projekteve të pjekura dhe mobilizimin e financimit të nevojshëm për realizimin e tyre.
Impianti do t'u shërbejë qindra mijëra banorëve
Drejtori Ekzekutiv i AFD-së, Christophe Lecourtier, deklaroi se projekti do të përmirësojë ndjeshëm menaxhimin e ujërave të ndotura në një prej qyteteve dhe destinacioneve turistike më të rëndësishme të Shqipërisë. Sipas tij, përmirësimi i impiantit të trajtimit, zgjerimi i mbledhjes dhe trajtimit të ujërave të ndotura dhe përafrimi i shërbimeve me standardet e BE-së do të sjellin përfitime për qytetarët, shëndetin publik dhe mbrojtjen e bregdetit Adriatik.
“Ai është një shembull i fuqishëm i asaj çka mund të arrijë Ekipi i Evropës kur Bashkimi Evropian, Franca përmes AFD-së dhe Shqipëria punojnë krah për krah. Ky projekt shënon një moment të rëndësishëm në partneritetin tonë me Shqipërinë, dhe Franca, përmes AFD-së, do të vazhdojë të qëndrojë përkrah vendit për ndërtimin e një të ardhmeje më të gjelbër, më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme”, tha Lecourtier.
Aktualisht vetëm 20 për qind e ujërave të ndotura trajtohen sipas standardeve të BE-së
Aktualisht, vetëm rreth 20% e ujërave të ndotura të qytetit të Durrësit trajtohen në përputhje me standardet e BE-së, duke kontribuar në ndotjen e bregdetit Adriatik dhe në kosto më të larta mjedisore, ekonomike dhe shëndetësore. Projekti synon t'i adresojë këto problematika duke rritur mbledhjen dhe trajtimin e ujërave të ndotura me 85%, si dhe duke krijuar rrjete të ndara për ujërat e shiut dhe ujërat e ndotura në qendrën historike të qytetit.
Rreth 100,000 banorë të rinj do të lidhen me rrjetet e kanalizimeve në Durrës, ndërsa kapaciteti i impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura do të përmirësohet në ekuivalentin e një popullsie prej 350,000 banorësh.
Investimi lidhet edhe me Kapitullin 27 të negociatave me BE-në
Projekti do të kontribuojë drejtpërdrejt në përafrimin e Shqipërisë me standardet mjedisore evropiane sipas Kapitullit 27 të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Nisja e tij vjen pas disa vitesh pune përgatitore. Në frymën e Ekipit të Evropës, BE-ja, Franca përmes AFD-së dhe Shqipëria kanë zbatuar së bashku dy projekte përgatitore, duke e sjellë investimin në pjekurinë e nevojshme teknike dhe duke i hapur rrugën zbatimit të tij.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)