Secondary Adv

Sektori bankar po e rrit përsëri investimin në borxhin e qeverisë

Sektori bankar po e rrit përsëri ekspozimin në titujt e qeverisë shqiptare, pas një stopimi n muajt e parë të vitit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit korrik investimi i sektorit bankar në letra me vlerë të borxhit të qeverisë shqiptare arriti vlerën e 616.8 miliardë lekëve. Vlera e investimit në tituj qeveritarë ngelet më e ulët krahasuar me fundin e vitit të kaluar, me 1.4% më pak, por në rritje me 4.3% krahasuar me një vit më parë.


Sidoqoftë, pesha e këtyre instrumenteve në strukturën e aktiveve të bankave është në rënie vjetore të konsiderueshme. Në fund të muajit korrik, investimet në letra me vlerë të qeverisë përbënin 25.1% të aktiveve, nga 26.5% që kishin qenë një vit më parë.


Vlera e investimit të bankave në letrat e borxhit të qeverisë pësoi rënie graduale deri në muajin prill, kryesisht për shkak të uljes së huamarrjes neto të qeverisë në tregun e brendshëm. Megjithatë, pas muajit maj, vlera e investimit në tituj ka filluar të rritet përsëri, duke ndjekur ritmet e huamarrjes së qeverisë shqiptare.


Huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm financiar vlerësohet se ka qenë në rritje rritet në tremujorin e tretë të vitit.


Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, shuma planifikuar e huamarrjes në ankandet e bonove dhe obligacioneve parashikohet në vlerën e 79.5 miliardë lekëve, në rritje me 18% krahasuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.


Rritja e portofolit të letrave me vlerë të qeverisë përputhet edhe me një fazë të korrektimit në rritje të yield-eve të këtyre instrumenteve.


Duke filluar nga tremujori i dytë, yield-et po shënojnë një korrektim gradual në rritje, që mund të shpjegohet sa me rritjen e kërkesës së qeverisë për financim në tregun e brendshëm, aq edhe me pritshmëritë për rritjen e normave të interesit, në vijim të tensioneve të reja gjeopolitike dhe rritjes së çmimit të naftës.


Yield-i i bonove 12-mujore u rrit përsëri në ankandin e fundit, të zhvilluar në muajin gusht dhe arriti nivelin më të lartë në gati dy vjet.


Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar në ankandin e kësaj jave arriti në 2.83%, nga 2.75% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.


Yield-i i këtyre instrumenteve ka prekur nivelin më të lartë që prej nëntorit të vitit 2024. Ndërkohë që deri në tremujorin e parë yield-et e këtyre instrumenteve ishin poshtë normës bazë të interesit, tani ato kanë arritur një spread prej 0.33 pikë mbi normën bazë.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat