Rama: 6 programe të reja për strehimin, 4 mijë kredi të buta nisin nga nëntori
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se reforma e re për zbutjen e pamundësisë për të përballuar kostot e strehimit në vend do të zbatohet nëpërmjet 6 programeve të reja.
Kryeministri Rama tha se në fokus të programeve të reja do të jetë zbatimi i 4 mijë kredive të buta për çiftet e reja, duke përfshirë dhënien e 2 mijë kredive të buta me interes zero për apartamente me vlerë nën 60 mijë euro dhe 2 mijë kredi me interes 3% për apartamente me vlerë mbi 60 mijë euro. Sipas Ramës, thirrja do të hapet në muajin nëntor.
“Programi i parë janë banesat me qira, një skemë e përdorur ndër vite, por që do të qaset në mënyrë të re. Dhënia e banesave sociale me qira do të jetë një program që do të bëhet më kompleks, jo vetëm “prit të ndërtohet” dhe pastaj të ketë shansin të marrësh një banesë duke pritur radhën e gjatë.
Do të parashikohet ndërtim i ri, blerje e drejtpërdrejtë nga tregu, përshtatje e objekteve shtetërore dhe e atyre të konfiskuara. Do të përfshihet bonusi i qirasë dhe partneriteti publik-privat, pra do të garantohet një ofertë e gjerë nga shteti.
Programi i dytë është ai i pagesës me kosto të ulët, që lidhet me subvencionin e shtetit për kreditë, nëpërmjet një kategorizimi të ri.
Programi i tretë është përmirësimi i banesave ekzistuese për grupet vulnerabël dhe për zonat informale.
Zhvillimi i ri është për zhvillimin e zonave të strehimit, jo vetëm për shtresat në nevojë, por do të ndërtojmë blloqe banimi dinjitoze edhe për shtresat e tjera. Madje, të pasurit mund të blejnë dhe për këtë do të fokusohemi te cilësia.
Për rrjedhojë, do të shërbejë edhe reforma, ku Enti dhe bashkitë do të funksionojnë si një sistem i ri, dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit do të marrë fuqi të re.
Programi nis në Tiranë shumë shpejt dhe kemi në shqyrtim nisjen e tyre edhe për zona të tjera të bashkive.
Programi i katërt është për ndërtimin e banesave të përkohshme, të një infrastrukture të gatshme për njerëzit e prekur nga fatkeqësitë natyrore, nga përmbytjet dhe zjarret.
Programi i gjashtë është për ndërtimin e banesave për individët me aftësi të kufizuara”, pohoi kryeministri Rama.