Secondary Adv

Qeveria do subvencionojë 200 euro për qiratë deri në 400 euro, e përballueshme vetëm periferia

Përveç blerjes së një apartamenti në Tiranë, çështja e strehimit është kthyer e papërballueshme për shtresën e mesme edhe nëpërmjet qirave afatgjatë.

Kryeministri Edi Rama tha se programi i dytë i reformës së strehimit, parashikon subvencionimin e qirasë në masën 50% për çiftet e reja dhe për emigrantët që do të kthehen në vend.


Në vitin e parë do të përfitojnë 3 mijë individë, ndërsa shteti parashikohet të subvencionojë 50% të qirasë ose deri në 200 euro në muaj.


Kryeministri Edi Rama tha se subvencionimi do të përfshijë qiratë e apartamenteve me vlerë deri në 400 euro.


“Nëse i plotëson kriteret dhe ke mundësi të marrësh një apartament me qira 400 euro, 200 euro do të paguhen nga shteti”, deklaroi ndër të tjera kryeministri Rama.


Thirrja do të hapet në muajin dhjetor 2026 dhe programi do të zbatohet gjatë vitit 2027.


Por ndërkohë në Tiranë çmimet mestarë të qirave për strehim afatgjatë sipas të dhënave të agjencive imobiliare deri në muajin qershor 2026 arriti 721 euro në muaj (për të dyja tipologjitë e apartamenteve si 1+1 dhe 2+1), ku për përballimin e saj një individ duhet të shpenzojë 77% të ardhurave bruto apo 97% të të ardhurave neto (e llogaritur sipas pagës mesatare bruto për 3 mujorin e parë 2026 që ishte 90 mijë lekë).


Deri në qershor 2026 për 13 zona të Tiranës nga ato qendrore deri në zonat periferike, sipas të dhënave të marra nga agjencitë e shitblerjes së apartamenteve, çmimet mesatare të qirave varionin për apartamentet 1+1 nga 340 deri 830 euro për metër katror.


Vetëm 3 zona periferike, si: Kinostudio (320 euro në muaj), Fresku (346 euro në muaj), dhe Kombinati (350 euro në muaj) çmimet mesatare të qirave për këtë tipologji pronash qëndronin nën 400 euro në muaj.


Ndërsa për apartamentet 2+1 çmimet mestarë të qirave variojnë nga 450 deri në 1500 euro në muaj.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat