Projekti madhor i pasurive të paluajtshme shtyn në rritje të fortë investimet e huaja
Investimet e huaja direkte shënuan një rritje të fortë në tremujorin e dytë, të nxitura ndjeshëm nga flukset e lidhura me një projekt të rëndësishëm në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, investimet arritën në 741 milionë euro, me një rritje prej 86 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Banka e Shqipërisë nuk e ka specifikuar projektin që ka ndikuar në këtë rritje, por referenca mund të lidhet me investimin e diskutuar gjatë muajve të fundit në zonën e Zvërnecit. Në maj u regjistrua gjithashtu një rritje e fortë e depozitave në valutë të bizneseve.
Depozitat e transferueshme të kategorisë “Korporata jofinanciare private” u rritën me 152 milionë euro, ose 10 për qind krahasuar me prillin 2026. Kjo përbën rritjen më të madhe mujore të depozitave në valutë të bizneseve që nga janari 2016, periudhë prej së cilës Banka e Shqipërisë raporton këto të dhëna.
Aktorët e tregut e lidhën këtë rritje me transaksionin e tokave në projektin e Zvërnecit, i cili u hetua edhe nga SPAK. Ky i fundit njoftoi bllokimin e një kontrate me vlerë 128 milionë euro.
Mbi 1.1 miliardë euro investime në gjashtë muaj
Për të gjithë gjashtëmujorin e parë, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte arriti në 1.144 miliardë euro, duke u rritur me 50 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Një tendencë gjithnjë e më e dukshme pas pandemisë është përqendrimi i investimeve të huaja direkte në sektorin e pasurive të paluajtshme. Për vitin e kaluar, ky sektor solli më shumë se një të tretën e investimeve të huaja direkte. Kërkesa nga jorezidentët vlerësohet se ka mbështetur në një masë të konsiderueshme edhe rritjen e çmimeve të pronave, veçanërisht në zonat bregdetare.
Banka e Shqipërisë vlerësonte se në fund të vitit 2025 stoku i investimeve të huaja në tregun shqiptar të pasurive të paluajtshme arriti në 2.63 miliardë euro, me një rritje prej 29 për qind krahasuar me një vit më parë. Në harkun e një dekade, stoku i investimeve të huaja në këtë sektor pothuajse është 17-fishuar.
Edhe në vitin 2026, sektori i pasurive të paluajtshme po kryeson strukturën e investimeve të huaja direkte për të pestin vit radhazi.
Flukset e reja rriten me 150 për qind
Projekti i përmendur nga Banka e Shqipërisë ka ndikuar ndjeshëm edhe në raportin mes flukseve të reja të kapitalit dhe fitimeve të riinvestuara. Në tremujorin e dytë, flukset e reja arritën në 497 milionë euro, me një rritje prej 150 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Për gjashtëmujorin e parë, flukset e reja arritën në 684 milionë euro, duke u rritur me 98 për qind në raport me një vit më parë. Gjatë këtij viti, ato përbëjnë pothuajse 60 për qind të totalit të investimeve të huaja direkte.
Investimet e huaja direkte kanë një rol të rëndësishëm edhe në Bilancin e Pagesave të Shqipërisë, duke ndihmuar në kompensimin e deficitit të llogarisë korrente dhe në mbulimin e nevojave të ekonomisë për valutë të huaj për importin e mallrave.