Secondary Adv

FATF: Ndërtimi dhe hoteleria mes sektorëve me risk të lartë për pastrim parash

FATF veçon disa sektorë ekonomikë si më të ekspozuar ndaj bankimit informal dhe skemave profesionale të pastrimit të parave.

Ndërtimi dhe punët publike, hoteleria dhe restorantet, tregtia e automjeteve dhe bizneset e import-eksportit janë ndër aktivitetet ekonomike që Task-Forca e Veprimit Financiar (FATF) i konsideron potencialisht më të ekspozuara ndaj përdorimit të bankimit informal dhe skemave profesionale të pastrimit të parave.



Në raportin e shtatorit 2026, FATF rekomandon që vlerësimet kombëtare të riskut të mos kufizohen vetëm te bankat apo kompanitë tradicionale të transfertave të parave. Sipas organizatës, analizat duhet të përfshijnë edhe sektorë të ekonomisë reale, ku mënyra e funksionimit mund të krijojë hapësira për fshehjen dhe qarkullimin e fondeve.


Mes aktiviteteve me vulnerabilitet të shtuar, FATF përmend ndërtimin dhe punët publike, sigurinë private, hotelerinë dhe restorantet, tregtinë e automjeteve, import-eksportin dhe sektorët e lidhur me tregtinë, shërbimet informale ose aktivitetet me përdorim të lartë të parasë cash. Në disa rajone, në këtë kategori përfshihen edhe shërbimet e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT) dhe aktivitetet online.


FATF: Klasifikimi nuk nënkupton përfshirje në veprimtari kriminale

Raporti sqaron se përfshirja në kategorinë e sektorëve me vulnerabilitet të shtuar nuk do të thotë se këto aktivitete janë në vetvete të përfshira në veprimtari kriminale. Qëllimi është identifikimi i sektorëve që, për shkak të përdorimit të cash-it, tregtisë ndërkufitare, strukturave komplekse të pagesave apo ndërmjetësimit, mund të kërkojnë kontrolle më të fokusuara.


FATF kërkon që autoritetet të identifikojnë jo vetëm sektorët ekonomikë, por edhe qytetet, zonat kufitare, korridoret tregtare dhe aktivitetet ku këto risqe shfaqen më shpesh. Kjo do të mundësonte orientimin e kontrolleve dhe hetimeve drejt zonave dhe aktiviteteve ku ekspozimi ndaj pastrimit të parave konsiderohet më i lartë.


Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat