Furnizimi me gaz, Shqipëria marrëveshje me kompaninë amerikane për terminal LNG në bregdet
Shqipëria mund të ketë një terminal të ri për gazin natyror të lëngshëm në bregdet, me kapacitet deri në 5 milionë tonë në vit.
Kompania amerikane Argent LNG njoftoi se ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Qeverinë shqiptare për të vlerësuar zhvillimin e projektit, i cili mund të lidhet me infrastrukturën kryesore të gazit në vend dhe rajon.
Argent LNG, zhvilluese amerikane e projekteve të gazit natyror të lëngshëm me seli në Luiziana, bëri të ditur të mërkurën nënshkrimin e memorandumit me Qeverinë e Shqipërisë. Marrëveshja parashikon vlerësimin e mundësive për zhvillimin e një terminali rigazifikimi në shkallë të gjerë në bregdetin shqiptar, me një kapacitet që mund të arrijë deri në 5 milionë tonë në vit.
Sipas kompanisë, terminali mund të lidhet me Gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP), Gazsjellësin e propozuar Jon-Adriatik (IAP), si dhe me korridorin e gazit Fier-Vlorë. Këto lidhje do ta integronin projektin me infrastrukturën ekzistuese dhe të planifikuar të transportit të gazit në Shqipëri dhe rajon.
Financimi mund të përfshijë institucione amerikane
Argent LNG bëri të ditur se në financimin e projektit mund të përfshihen disa institucione amerikane, mes tyre Agjencia Amerikane për Tregti dhe Zhvillim (USTDA), Korporata Amerikane e Financimit Ndërkombëtar për Zhvillim (DFC) dhe Banka Amerikane e Eksport-Importit (EXIM Bank).
Në korrik të vitit 2026, Departamenti amerikan i Energjisë autorizoi Argent LNG-në të eksportojë gaz natyror të lëngshëm nga terminali i saj i propozuar në Port Fourchon, Luiziana, drejt vendeve që kanë marrëveshje të tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara.
Projekti i propozuar në Shqipëri parashikohet të jetë pjesë e një arkitekture më të gjerë rajonale të furnizimit me energji, me synimin për të forcuar qëndrueshmërinë energjetike të Evropës dhe Ukrainës.