Sigurimi i detyrueshëm vetëm për tërmetet, drafti në Qeveri heq përmbytjet nga skema
Qeveria ka rikthyer variantin e sigurimit të detyrueshëm të banesave vetëm nga tërmetet, duke hequr nga skema rrezikun e përmbytjeve.

Drafti më i fundit i projektligjit ndodhet në Këshillin e Ministrave në pritje të miratimit dhe parashikon krijimin e një Fondi Kombëtar publik që do të administrojë të gjithë sistemin.
Në versionin e publikuar për konsultim në korrik 2025, skema ishte konceptuar për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet. Në fund të janarit 2026, gjatë konsultimit të brendshëm, projekti u zgjerua duke përfshirë edhe përmbytjet. Në draftin më të fundit, të depozituar për miratim në Qeveri, përmbytjet nuk figurojnë më dhe mekanizmi është ndërtuar sërish vetëm rreth rrezikut sizmik.
Nëse miratohet në këtë formë, Shqipëria do të vendosë për herë të parë një skemë të gjerë të sigurimit të detyrueshëm të banesave nga tërmetet. Projektligji parashikon krijimin e Fondit Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet, një person juridik publik i organizuar në formën e një shoqërie aksionare. Ministria përgjegjëse për financat do të përfaqësojë shtetin si pronar të aksioneve, ndërsa Fondi do të ketë pavarësi operacionale dhe financiare dhe nuk do t'u nënshtrohet procedurave të zakonshme të falimentimit apo likuidimit.
Kush do të jetë i detyruar të sigurohet?
Skema do të përfshijë banesat, por edhe njësitë brenda ndërtesave të banimit që përdoren si zyra, njësi shitjeje apo për qëllime të tjera të ngjashme. Jashtë saj do të mbeten ndërtesat prej argjile ose qerpiçi, ato me strukturë fibër-kallami apo materiale të ngjashme, si dhe ndërtesat e lëvizshme ose të përkohshme.
Detyrimi nuk lidhet vetëm me pronarin formal të regjistruar. Sipas draftit, i siguruar konsiderohet çdo individ, person fizik ose juridik, publik apo privat, vendas ose i huaj, që është pronar ose posedues i banesës, pavarësisht shkallës së shfrytëzimit dhe faktit nëse prona ndodhet në zonë urbane apo rurale.
Koncepti i poseduesit përfshin edhe personat që përdorin faktikisht një banesë “si të ishte pronar”, edhe kur nuk kanë ende titull formal pronësie. Këtu përfshihen banesat në proces të pajisjes me dokument pronësie, ndërtesat e paregjistruara të përdorura tradicionalisht në zonat rurale dhe rastet e posedimit afatgjatë, të pakontestuar dhe të pandërprerë.
Polica do të rinovohet çdo vit
Kontrata e sigurimit do të jetë e detyrueshme dhe do të ketë vlefshmëri 12-mujore. Mbulimi do të fillojë vetëm pasi të jetë paguar primi dhe, nëse pagesa nuk kryhet në kohë, sigurimi do të pezullohet deri në ditën e pagesës. Për banesat e reja, detyrimi do të nisë me lëshimin e dokumentacionit të kolaudimit.
Për banesat sociale, primi do të financohet nga buxheti i njësive të vetëqeverisjes vendore. Për personat fizikë që përfitojnë ndihmë sociale, pagesa do të mbulohet nga buxheti i shtetit, ndërsa kategoritë përfituese, kriteret dhe procedurat do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Drafti nuk përcakton ende çmimin e sigurimit
Projektligji nuk cakton një prim konkret vjetor. Metodologjia do të mbështetet në llogaritje aktuariale dhe në modelin e rrezikut nga tërmetet të zhvilluar për Shqipërinë. Banesat do të klasifikohen sipas nivelit të rrezikut, ndërsa metodologjia do të hartohet nga Fondi dhe do të miratohet nga Këshilli i Ministrave, pas marrjes së mendimit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Drafti përcakton se gjatë llogaritjes duhet të merret parasysh pjesëmarrja masive në skemë, me synimin që primi të jetë i përballueshëm për të gjitha shtresat ekonomike. Në versionet e diskutuara është folur për një prim prej 25-30 eurosh në vit. As kufiri maksimal i dëmshpërblimit nuk përcaktohet në ligj dhe do të caktohet më vonë me vendim të Këshillit të Ministrave. Në materialin e draftit përmendet se zakonisht mbulimi llogaritet në raportin 1 për mijë, çka do të nënkuptonte që me një prim prej 25 eurosh mund të sigurohej mbulim deri në 25 mijë euro.
Qytetari do të përballojë vetë një pjesë të dëmit. Projektligji përcakton një pjesë të zbritshme prej 2 për qind të vlerës së dëmshpërblimit për çdo dëm të mbuluar nga skema.
Çfarë do të mbulojë sigurimi?
Sigurimi do të mbulojë dëmet që pëson pasuria e paluajtshme nga një ose disa ngjarje tërmeti gjatë periudhës kur polica është aktive. Jashtë mbulimit do të mbeten dëmtimet trupore dhe vdekja, dëmet jopasurore, sendet brenda banesës dhe humbjet financiare që vijnë nga ndërprerja e aktivitetit ose fitimi i munguar.
“Ngjarja e tërmetit” përkufizohet si një tërmet me magnitudë 5.0 ose më të lartë të shkallës Rihter, i ndodhur në Shqipëri ose në rajonet fqinje, por që ka shkaktuar dëme në territorin shqiptar. Paslëkundjet brenda 72 orëve do të trajtohen si pjesë e së njëjtës ngjarje. Në mbulim përfshihen edhe rrëshqitja dhe zhvendosja e tokës kur lidhen me ngjarjen sizmike.
Në rast dëmi, qytetari do t'i drejtohet Fondit me kërkesë për dëmshpërblim. Pagesa, në varësi të shkallës së dëmit, duhet të kryhet brenda tre muajve nga dorëzimi i plotë i dokumentacionit. Fondi mund të kontraktojë ekspertë të licencuar për vlerësimin e dëmeve dhe, në rast të një tërmeti të përmasave të mëdha, mund të angazhojë edhe inxhinierë, arkitektë, ekspertë universitarë dhe institucione të specializuara.
Pa policë mund të bllokohen shërbime në Kadastër, e-Albania dhe QKB
Një nga mekanizmat kryesorë për zbatimin e detyrimit lidhet me aksesin në shërbimet publike. Kush kërkon regjistrimin ose ndryshimin e regjistrimit të banesës apo shërbime të tjera kadastrale do të duhet të paraqesë paraprakisht një kontratë të vlefshme të sigurimit të detyrueshëm. Pa policën, shërbimi kadastral nuk do të ofrohet.
Personat që nuk lidhin kontratën, megjithëse kanë detyrimin ligjor, mund të mos përfitojnë gjithashtu disa shërbime elektronike në e-Albania dhe shërbime nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Lista konkrete e shërbimeve që do të kufizohen do të përcaktohet më vonë me vendim të Këshillit të Ministrave.
Ndryshime edhe për sigurimet private
Projektligji prek drejtpërdrejt edhe tregun privat të sigurimeve. Shoqëritë private nuk do të mund t'i shesin një qytetari sigurim vullnetar nga tërmeti për banesën nëse ai nuk ka lidhur më parë sigurimin e detyrueshëm me Fondin.
Nëse një banesë mbulohet njëkohësisht nga sigurimi i detyrueshëm dhe nga një kontratë vullnetare, dëmi deri në kufirin e skemës së detyrueshme do të paguhet sipas kësaj të fundit, ndërsa pjesa që tejkalon shumën e siguruar nga Fondi mund të mbulohet nga kontrata private. Qytetarët që në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit kanë një kontratë vullnetare aktive nuk do të detyrohen menjëherë të blejnë policën e re, por do të kalojnë në skemën e detyrueshme pas përfundimit të kontratës ekzistuese.
Fondi do të administrojë primet dhe dëmshpërblimet
Fondi Kombëtar do të lidhë kontratat, administrojë primet, investojë të ardhurat, blejë risigurim, trajtojë dhe paguajë dëmet dhe përcaktojë primin e sigurimit. Të ardhurat do të sigurohen nga primet, komisionet e risigurimit, investimet, buxheti i shtetit, grantet, donacionet dhe burime të tjera të ligjshme.
Struktura drejtuese do të përbëhet nga Asambleja e Përgjithshme, Këshilli Mbikëqyrës dhe Administratori. Këshilli Mbikëqyrës do të ketë pesë anëtarë: dy nga Ministria e Financave, një të propozuar nga AMF, një nga institucioni përgjegjës për gjeoshkencat dhe një nga Instituti i Ndërtimit. AMF do të ketë rol mbikëqyrës për kontratat, standardizimin e rregullave, transparencën, mbrojtjen e konsumatorëve dhe monitorimin e politikave të investimeve të Fondit.
Skema do të mbështetet edhe te risigurimi për të përballuar detyrimet e mëdha financiare që mund të krijojë një tërmet i fuqishëm. Programi i risigurimit do të organizohet çdo vit, ndërsa risiguruesit do të zgjidhen sipas kritereve të përcaktuara dhe rregulloreve të AMF-së. Projektligji parashikon që përzgjedhja e risiguruesit ose risiguruesve të përjashtohet nga rregullat e prokurimit publik.
Burimi: ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)