Ibrahimaj: 3 mijë apartamente për të rinjtë, qeveria do të subvencionojë 50 për qind të qirasë
Qeveria parashikon të vendosë në dispozicion 3 mijë apartamente për të rinjtë përmes një programi të ri strehimi, ku 50 për qind e qirasë do të subvencionohet.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit bëri të ditur se skema do të synojë kryesisht të rinjtë që kanë përfunduar studimet e larta, profesionistët e rinj dhe çiftet e reja.
Paketa pritet të miratohet gjatë muajit tetor, ndërsa thirrjet për aplikime parashikohet të hapen brenda këtij viti. Sipas afateve të bëra të ditura, përfituesit e programit pritet të shpallen në fillim të vitit 2027.
Ministrja tha se në periferi të Tiranës ka apartamente me vlera më të përballueshme, kryesisht me sipërfaqe të vogla, të cilat konsiderohen më të përshtatshme për të rinjtë sesa për familjet e mëdha.
“Prandaj e kemi theksuar që programi do t’u dedikohet profesionistëve që sapo kanë përfunduar shkollën e lartë. Është një proces që zbatohet në të gjitha vendet e botës, duke u dhënë mundësi të rinjve”, deklaroi ministrja.
Subvencion 50 për qind për qiratë deri në 400 euro në muaj
Sipas skemës së parashikuar, qeveria do të subvencionojë 50 për qind të qirasë për apartamente me vlerë qiraje deri në 400 euro në muaj. Programi synon në këtë mënyrë të ulë barrën mujore të strehimit për të rinjtë dhe t'u krijojë atyre më shumë mundësi për të jetuar në mënyrë të pavarur pas përfundimit të studimeve.
Ministrja theksoi se nevojat e tregut janë analizuar për një periudhë njëvjeçare dhe se programi është konceptuar për t'iu përgjigjur nevojave për strehim të të rinjve shqiptarë. Përfituesit kryesorë pritet të jenë profesionistët që sapo kanë përfunduar arsimin e lartë, të rinjtë në fillimet e karrierës dhe çiftet e reja.