Secondary Adv

Karakaçi: 110 mln euro investime në konvikte, Vaun e Dejës dhe digjitalizimin e nënstacioneve

Qeveria shqiptare ka miratuar marrëveshjen me qeverinë gjermane për financimin e tre projekteve me vlerë 110 milionë euro në sektorin energjetik.

Nga fondi i përgjithshëm, 20 milionë euro do të jepen në formën e grantit, ndërsa investimet do të përqendrohen te eficienca energjetike e konvikteve, HEC-i i Vaut të Dejës dhe digjitalizimi i nënstacioneve elektrike.


Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, në komunikimin për mediet pas mbledhjes së qeverisë, bëri të ditur se projekti i parë parashikon rehabilitimin e konvikteve me synim rritjen e eficiencës së energjisë dhe përmirësimin e kushteve të tyre.


Pas përfundimit me sukses të investimeve në 15 konvikte, marrëveshja e re do t'i hapë rrugë vijimit të ndërhyrjeve në 14 konvikte të tjera.


Investime në HEC-in e Vaut të Dejës

Projekti i dytë lidhet me investimet në HEC-in e Vaut të Dejës, një prej hidrocentraleve më të rëndësishme të vendit, i ndërtuar rreth 50 vite më parë.


Sipas ministrit Karakaçi, HEC-i i Vaut të Dejës kontribuon me rreth 28 për qind të prodhimit total të energjisë elektrike nga KESH. Investimi i parashikuar synon zgjatjen e jetëgjatësisë së hidrocentralit me rreth 30 vite të tjera.


Digjitalizohen rreth 40 nënstacione elektrike

Projekti i tretë do të fokusohet te digjitalizimi i operimit të sistemit të transmetimit të energjisë elektrike. Në kuadër të tij parashikohet digjitalizimi i rreth 40 nënstacioneve, duke mundësuar një menaxhim më efikas të flukseve energjetike dhe rritjen e kapaciteteve të furnizimit me energji.


Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Gjermanisë synon të mbështesë investimet në eficiencën energjetike, modernizimin e infrastrukturës së prodhimit dhe transmetimit të energjisë, si dhe forcimin e sigurisë energjetike të vendit.


Burimi: Ekofin


Më të lexuarat