Euro prek minimum të ri historik, thyen për herë të parë pragun e 92 lekëve
Euro ka zbritur për herë të parë nën kufirin e 92 lekëve, duke shënuar një minimum të ri historik ndaj monedhës shqiptare.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye me 91.94 lekë, ndërsa forcimi i Lekut ka marrë ritme më të shpejta gjatë vitit 2026.
Që nga fillimi i vitit kalendarik, Euro është zhvlerësuar me 5 për qind, ndërsa me bazë vjetore rënia e monedhës europiane ka arritur në 5.3 për qind. Ekspertët e tregut valutor vlerësojnë se sezoni i zgjatur veror ka shtuar më tej ofertën e Euros në treg, ndërkohë që kërkesa për monedhën europiane mbetet e vakët.
Zhvlerësimi i Euros po ndikon gjithashtu në përdorimin e saj në transaksionet e brendshme ekonomike, ku në disa raste po zëvendësohet nga Leku. Kjo tendencë po vërehet edhe në tregun e pasurive të paluajtshme.
Deficiti i llogarisë korrente bie me 40.6 për qind
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë një përmirësim të ndjeshëm të Bilancit të Pagesave gjatë këtij viti, faktor që mund të shpjegojë në një masë të madhe zhvlerësimin e mëtejshëm të Euros.
Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, deficiti i llogarisë korrente zbriti në 361 milionë euro, duke u ulur me 40.6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky është njëkohësisht niveli më i ulët i deficitit të llogarisë korrente për një gjashtëmujor që prej vitit 2018. Përmirësimi ka ardhur kryesisht nga rritja e eksporteve të shërbimeve dhe remitancave.
Bilanci i tregtisë së shërbimeve ishte pozitiv me afërsisht 1.79 miliardë euro, në rritje me 12.9 për qind krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar. Më shumë se gjysma e kontributit në këtë sektor erdhi nga turizmi, i cili në gjashtëmujorin e parë solli të ardhura neto prej 957 milionë eurosh, 20 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Investimet e huaja shtojnë flukset valutore
Një efekt shtesë në forcimin e Lekut duket se ka ardhur edhe nga rritja e fortë e investimeve të huaja direkte. Në tremujorin e dytë, vlera e tyre arriti në 741 milionë euro, me një rritje prej 86 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo rritje u ndikua ndjeshëm nga flukset e lidhura me një projekt të rëndësishëm zhvillimi në sektorin e pasurive të paluajtshme. Banka e Shqipërisë nuk e ka specifikuar projektin, por referenca mund të lidhet me investimin në zonën e Zvërnecit.
Për të gjithë gjashtëmujorin e parë, investimet e huaja direkte arritën në 1.144 miliardë euro, duke u rritur me 50 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në periudhën pas pandemisë është vërejtur gjithashtu një përqendrim gjithnjë e më i madh i investimeve të huaja direkte në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Rritja e këtyre flukseve valutore, së bashku me të ardhurat nga turizmi, remitancat dhe përmirësimin e Bilancit të Pagesave, po shton ofertën e valutës në treg dhe po ushtron presion të vazhdueshëm për rënien e kursit të Euros ndaj Lekut.