Secondary Adv

BE ka dhënë 1.1 mln leje qëndrimi për shqiptarët, Gjermania arrin rekordin e 124 mijë

Emigracioni i shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Europian ka vijuar me ritme të larta gjatë dekadës së fundit.

Nga viti 2008 deri në 2025, vendet e BE-së kanë dhënë rreth 1.1 milionë leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë, ndërsa Gjermania është kthyer në një nga destinacionet kryesore, me 124 mijë leje të dhëna gjatë kësaj periudhe.


Sipas të dhënave të Eurostat të përpunuara nga “Monitor”, në periudhën 2008-2025 janë dhënë gjithsej 1,082,224 leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë. Në vitet 2008-2016 u dhanë rreth 509.5 mijë leje, me nivele veçanërisht të larta në periudhën 2008-2010, kur numri luhatej mes 70 dhe 100 mijë lejeve në vit.


Në atë periudhë, pjesa dërrmuese e lejeve lidhej me Italinë dhe Greqinë, ku shumë shqiptarë të larguar gjatë dekadës së mëparshme po stabilizonin statusin e tyre të qëndrimit. Të dyja vendet dhanë së bashku pothuajse 90 për qind të lejeve në periudhën 2008-2016, me Italinë që përfaqësonte 53 për qind dhe Greqinë 37 për qind.


573 mijë leje të tjera nga viti 2017

Pas vitit 2012 u duk se emigracioni po stabilizohej, me numrin e lejeve që u përgjysmua, por një valë e re nisi pas vitit 2016 dhe u përshpejtua gjatë viteve të fundit. Për periudhën 2017-2025 janë dhënë rreth 573 mijë leje të tjera, duke tejkaluar numrin e regjistruar në periudhën e mëparshme.


Kjo rritje bëhet edhe më domethënëse në raport me tkurrjen e popullsisë së Shqipërisë, e cila ka zbritur në rreth 2.3 milionë banorë, nga rreth 3 milionë që ishte në vitin 2006.


Ndryshe nga vala e mëparshme, kur Italia dhe Greqia ishin destinacionet kryesore, vitet e fundit gjeografia e emigracionit shqiptar është zgjeruar. Për periudhën 2017-2025, Italia dhe Greqia dhanë së bashku 62 për qind të lejeve të qëndrimit, përkatësisht 41 për qind dhe 21 për qind.


Gjermania arrin në 124 mijë leje qëndrimi

Gjermania është kthyer në një nga destinacionet kryesore për shqiptarët, veçanërisht për fuqinë punëtore të kualifikuar. Ajo ka dhënë 20 për qind të lejeve të qëndrimit për periudhën 2017-2025. Në total, që prej vitit 2008, Gjermania ka dhënë rreth 124 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë, duke u renditur e treta.


Italia vazhdon të kryesojë, me rreth 500 mijë leje qëndrimi të dhëna që prej vitit 2008, ndërsa Greqia renditet e dyta me rreth 311 mijë. Franca, pavarësisht se është një prej destinacioneve kryesore për kërkesat për azil, ka dhënë rreth 28 mijë leje qëndrimi, e ndjekur nga Belgjika me 14.3 mijë dhe Suedia me 13 mijë. Vendet e tjera kanë dhënë secili më pak se 10 mijë leje.


Mbretëria e Bashkuar ka dhënë rreth 20 mijë leje gjatë periudhës 2008-2018, ndërsa për vitet e mëvonshme të dhënat nuk raportohen. Gjatë dekadës së fundit, ajo është kthyer gjithashtu në një destinacion të rëndësishëm për shqiptarët. Vetëm në vitin 2022, kërkesat për azil nga shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar arritën në mbi 14 mijë, duke tejkaluar totalin prej 13.2 mijë kërkesash të regjistruara në BE në atë vit.


Në 2025 u dhanë mbi 68 mijë leje

Sipas Eurostat, gjatë vitit 2025 u dhanë 68,653 leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë, me një rritje prej 4 për qind krahasuar me vitin e mëparshëm. Tendenca ishte e kundërt me vitin 2024, kur numri i lejeve kishte rënë me 14 për qind.


Në vitin 2025, Italia kryesoi me 31.7 mijë leje, ndërsa Gjermania u rendit e dyta me 17 mijë, duke kaluar Greqinë, e cila dha rreth 10 mijë. Pas tyre u rendit Franca me 2.4 mijë leje dhe Belgjika me 1.3 mijë, ndërsa vendet e tjera dhanë më pak se 1 mijë leje secili.


Nga lejet e dhëna për shqiptarët gjatë vitit 2025, 46.3 për qind ishin për arsye familjare, 29.4 për qind për punësim dhe 0.8 për qind për arsye arsimimi.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat