Secondary Adv

Nis viti i ri shkollor, 25 mijë fëmijë në klasën e parë dhe 53 shkolla të reja

Viti i ri shkollor 2026–2027 ka nisur në të gjithë vendin, me mijëra nxënës që rikthehen në bankat e shkollës dhe rreth 25 mijë fëmijë që ulen për herë të parë në klasën e parë.

Ky vit shoqërohet me investime në infrastrukturë, masa të reja sigurie, zgjerimin e shërbimit psiko-social dhe shtrirjen në 408 shkolla të programit “Pas Shkolle”.


Në vitin shkollor 2026–2027, 53 shkolla të reja ose të rehabilituara hapin dyert për nxënësit, ndërsa janë miratuar edhe 39 projekte të tjera për rikonstruksionin e institucioneve arsimore. Investimet synojnë përmirësimin e kushteve të mësimdhënies dhe përfshijnë ambiente e pajisje të reja, mes tyre laboratorë inteligjentë dhe “smartlab”-e.


Gjatë vitit, nxënësit do të kenë mundësi të angazhohen edhe në aktivitete akademike dhe krijuese, përfshirë festivalin e shkencës, olimpiadat, konkurset e gjuhës, aktivitetet muzikore, kulturore dhe artistike.


Mbi 400 oficerë sigurie dhe 900 psikologë e punonjës socialë

Siguria në institucionet arsimore është një nga prioritetet e këtij viti shkollor. Në shkollat e vendit do të shërbejnë mbi 400 oficerë sigurie, të cilët do të veprojnë sipas protokolleve dhe standardeve të përditësuara.


Në Tiranë, 20 shkolla janë përfshirë në projektin pilot “Smart City”, ku parashikohet përdorimi i kamerave inteligjente për monitorimin dhe rritjen e sigurisë në ambientet shkollore.


Krahas këtyre masave është fuqizuar edhe shërbimi psiko-social. Në shkollat e vendit do të jenë të pranishëm 900 psikologë dhe punonjës socialë, të cilët do të ofrojnë mbështetje për nxënësit dhe do t'u përgjigjen nevojave të tyre sociale dhe emocionale.


Programi “Pas Shkolle” shtrihet në 408 shkolla

Një nga risitë kryesore të vitit 2026–2027 është zgjerimi i programit “Pas Shkolle”. Pas fazës pilot të zhvilluar në Tiranë gjatë vitit të kaluar, programi do të zbatohet këtë vit në 408 shkolla në të gjithë Shqipërinë.


Programi synon t'u krijojë mundësi nxënësve që të qëndrojnë në shkollë edhe pas përfundimit të orarit mësimor, duke u angazhuar në klube dhe aktivitete në fusha si arti, muzika, teatri, sporti dhe zejet. Nxënësit dhe prindërit do të informohen gjatë javëve të para për mënyrën e funksionimit dhe përzgjedhjen e aktiviteteve.


Për zhvillimin e programit është hapur edhe thirrja për trajnerë, ku mund të përfshihen mësues, mësues në pension, artistë, artizanë dhe profesionistë të fushave përkatëse.


1,200 nxënës kalojnë nga shkollat private në ato publike

Të dhënat paraprake për regjistrimet tregojnë edhe një lëvizje nga arsimi jopublik drejt sistemit publik. Rreth 1,200 nxënës janë transferuar nga shkollat jopublike në shkollat publike për vitin 2026–2027.


Përveç procesit mësimor, gjatë këtij viti pritet një fokus më i madh te aktivitetet jashtëshkollore, me synimin që institucionet arsimore të shërbejnë jo vetëm si ambiente mësimi, por edhe si hapësira ku nxënësit mund të zhvillojnë aftësitë e tyre akademike, sportive, kulturore dhe krijuese.



Burimi: Ekofin


Më të lexuarat