Pa partitë opozitare, votohet Qeveria e Kosovës, Albin Kurti merr mandatin e ri si kryeministër
Albin Kurti ka marrë një mandat të ri në krye të Qeverisë së Kosovës, pas një periudhe të gjatë zhvillimesh politike dhe procedurash për konstituimin e institucioneve.

Në seancën për formimin e qeverisë nuk morën pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës, ndërsa Kurti prezantoi kabinetin e ri dhe prioritetet e mandatit, mes tyre rritjen e pagave, dyfishimin e shtesave për fëmijët dhe krijimin e valutës digjitale të Kosovës.
Kabineti qeveritar “Kurti 4” do të ketë Glauk Konjufcën si zëvendëskryeministër të parë dhe ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallën si zëvendëskryeministre të dytë dhe ministre të Drejtësisë, ndërsa Fikrim Damka do të jetë zëvendëskryeministër i tretë për çështjet e pakicave dhe bashkëpunimin.
Hekuran Murati do të drejtojë Ministrinë e Financave, Andin Hoti Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Ejup Maqedonci Ministrinë e Mbrojtjes dhe Xhelal Sveçla Ministrinë e Punëve të Brendshme. Lulëzon Jagxhiu do të jetë ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit, Arben Vitia ministër i Shëndetësisë, Hajrulla Çeku ministër i Arsimit dhe Shkencës, ndërsa Saranda Bogujevci do të drejtojë Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit.
Blerim Gashani do të jetë ministër i Sportit dhe Rinisë, Elbert Krasniqi ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Fitore Pacolli ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Armend Muja ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Dimal Basha ministër i Infrastrukturës dhe Transportit. Mimoza Kusari do të drejtojë Ministrinë e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Artane Rizvanolli Ministrinë e Ekonomisë, Nenad Rashiq Ministrinë për Komunitete dhe Kthim dhe Rasim Demiri Ministrinë për Zhvillim Rajonal.
Kurti premton pagë mesatare mbi 1 mijë euro dhe dyfishim të shtesave për fëmijët
Në prezantimin e programit të qeverisë së re, Kurti deklaroi se vizioni i mandatit do të jetë “punë për qytetarin e mbrojtje për familjen”. Sipas tij, gjatë pesë viteve e gjysmë të qeverisjes së tij është regjistruar një rritje mesatare ekonomike prej 6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Kurti premtoi dyfishimin e shtesave për fëmijët, në përputhje me mundësitë buxhetore. “Nga 45 sa janë për çdo fëmijë për familjet me tre e më tepër fëmijë, në 90 euro. Me këtë rritje lëmë prapë edhe disa shtete të Bashkimit Evropian sa i përket shtesave për fëmijët”, deklaroi ai.
Kryeministri tha se paga minimale prej 500 eurosh nuk do të tatohet, ndërsa me rritjen ekonomike do të vijojë edhe rritja e pagave në sektorin publik. Sipas pritshmërive të paraqitura prej tij, paga mesatare në sektorin publik do të kalojë 1 mijë euro në muaj. Kurti premtoi gjithashtu pagën e 14-të për punonjësit e sektorit publik dhe miratimin e ligjit për çmimet tavan, i cili sipas tij do të mbrojë qytetarët dhe tregtarët nga abuzimet.
Një tjetër masë e paralajmëruar është heqja e taksës doganore prej 10 për qind për automjetet e importuara nga Bashkimi Europian. Kurti njoftoi gjithashtu synimin për zhvillimin e një valute digjitale të Kosovës, të mbështetur në teknologjinë “blockchain”, për pagesa dhe shërbime digjitale, si dhe ndërtimin e Kullës së Teknologjisë Informative në Prishtinë.
PDK dhe Aleanca nuk morën pjesë në seancë
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës nuk morën pjesë në seancën e thirrur për formimin e Qeverisë. PDK-ja deklaroi para vazhdimit të seancës konstituive se nuk do të merrte pjesë në asnjë seancë deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Edhe deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, njoftoi mospjesëmarrjen, duke e cilësuar seancën si antikushtetuese.
Kuvendi u shpall i konstituuar pas zgjedhjes së nënkryetarëve nga radhët e LDK-së dhe komuniteteve pakicë. PDK-ja nuk mori pjesë dhe kishte tërhequr më parë kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare. Kryesuesja e seancës, Albulena Haxhiu, deklaroi se Kuvendi “nuk mund të mbetet peng i askujt, i asnjë subjekti politik”.
Kandidati i LDK-së për nënkryetar, Kujtim Shala, u zgjodh me 75 vota. Pas tetë kandidaturave të dështuara nga Lista Serbe, u zgjodh edhe deputetja serbe Tanja Vujoviq, e cila mori votat e LVV-së dhe të disa deputetëve të LDK-së. Nga komunitetet joserbe u zgjodh deputetja boshnjake Emilija Rexhepi. Pas këtyre votimeve, Haxhiu deklaroi se Kuvendi konsiderohej i konstituuar.
PDK-ja kundërshton këtë interpretim. Deputeti Përparim Gruda deklaroi se partia nuk ka hequr dorë nga e drejta për të propozuar nënkryetarin, por vetëm e ka pezulluar përkohësisht ushtrimin e kësaj të drejte deri në sqarimin e situatës nga Gjykata Kushtetuese. PDK-ja ka paralajmëruar se do t'i drejtohet Kushtetueses.
Në një vendim të mëhershëm, Gjykata Kushtetuese kishte lënë të hapur mundësinë që Kuvendi, në rrethana të caktuara, të funksionojë edhe pa një nga anëtarët e Kryesisë, nëse zgjedhja e tij pamundësohet dhe Kryesia ka kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)