Secondary Adv

Regjistrimi i kontratës së shitjes në Kadastër, procedura dhe dokumentet e nevojshme

Kontrata e shitjes duhet të regjistrohet në Kadastër, ndërsa aplikimi brenda 30 ditëve shmang kamatëvonesën.

Regjistrimi i kontratës së shitjes në regjistrin kadastral është një nga procedurat kryesore që duhet të ndjekë një qytetar pas blerjes së një pasurie të paluajtshme. Përmes këtij procesi konfirmohet dhe pasqyrohet e drejta e pronësisë në favor të blerësit në regjistrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.


Nëse kërkesa për regjistrimin e kontratës paraqitet brenda 30 ditëve nga nënshkrimi i saj, shërbimi i regjistrimit kryhet pa kamatëvonesë. Për këtë arsye, blerësit duhet të kujdesen që procedura të nisë brenda këtij afati dhe të mos e shtyjnë regjistrimin e pronës së blerë.


Aplikimi kryhet online përmes e-Albania

Aplikimi për regjistrimin e kontratës së shitjes kryhet online përmes portalit e-Albania. Pas identifikimit në portal, qytetari duhet të zgjedhë shërbimin “Aplikim për regjistrimin e kontratave të shitjes – KP1”, të plotësojë formularin elektronik dhe të ngarkojë dokumentacionin e kërkuar në formatin PDF.


Pas plotësimit të aplikimit gjenerohet mandati përkatës. Pagesa mund të kryhet online, në bankë ose pranë pikave të Postës Shqiptare.


Dokumentet që kërkohen për regjistrimin

Për regjistrimin kërkohet kontrata e shitjes, së cilës duhet t'i bashkëlidhen certifikata e pronësisë, kartela e përditësuar dhe harta kadastrale. Pjesë e dokumentacionit është edhe certifikata familjare ose martesore e palës blerëse.


Kur pasuria e transferuar është ndërtesë, kërkohet gjithashtu vërtetim nga bashkia përkatëse për shlyerjen e taksës së ndërtesës. Në rastet kur gjen zbatim, duhet të paraqitet edhe mandati që vërteton pagesën e tatimit ose taksës për kalimin e pronësisë.


Kur kontrata e shitjes lidhet ndërmjet ndërtuesit, zhvilluesit apo investitorit dhe blerësit, në dokumentacion duhet të përfshihet edhe kontrata e sigurimit 10-vjeçar në favor të blerësit.


Nëse aplikimi nuk kryhet personalisht nga pronari ose bashkëpronari, duhet të paraqitet edhe akti i përfaqësimit, përkatësisht prokura. Dokumentacionit i bashkëlidhet gjithashtu mandati i pagesës së shërbimit.


Dokumentet origjinale duhet të dërgohen edhe me postë

Procedura nuk përfundon vetëm me ngarkimin elektronik të dokumenteve. Dokumentacioni origjinal duhet të dërgohet me postë në adresën e drejtorisë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që administron zonën kadastrale ku ndodhet pasuria.


Regjistrimi në kohë merr rëndësi të veçantë për blerësin, pasi është procesi përmes të cilit kalimi i pronësisë pasqyrohet në regjistrin kadastral në favor të tij. Respektimi i afatit 30-ditor pas nënshkrimit të kontratës shmang kamatëvonesën dhe mundëson përfundimin në kohë të procedurës së regjistrimit.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat