Inflacioni i harmonizuar 3 për qind në gusht, transporti dhe ushqimet me ndikimin më të fortë
Inflacioni i matur sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) arriti në 3 për qind në gusht 2026, duke qëndruar lehtësisht nën mesataren prej 3.2 për qind të Bashkimit Europian.
Ushqimet dhe transporti dhanë ndikimin më të madh në rritjen e përgjithshme të çmimeve.
Sipas të dhënave të INSTAT, krahasuar me korrikun, çmimet e konsumit në Shqipëri u ulën me 0.1 për qind. Ushqimet vijojnë të kenë peshën më të madhe në inflacion për shkak të rëndësisë së tyre në shpenzimet e konsumatorëve, ndërsa ritmet më të larta të rritjes së çmimeve u regjistruan te transporti, argëtimi dhe disa kategori shërbimesh.
Çmimet e transportit ishin 7 për qind më të larta se në gusht të vitit të kaluar dhe u rritën me 2.1 për qind vetëm gjatë muajit. Grupi “Argëtim, sport dhe kulturë” regjistroi rritje vjetore prej 8.5 për qind, ndërsa çmimet e restoranteve dhe shërbimeve të akomodimit u rritën me 3.5 për qind në terma vjetorë dhe me 0.3 për qind krahasuar me korrikun.
Ushqimet japin kontributin më të madh në inflacion
Pavarësisht ritmeve më të larta të rritjes në kategori të tjera, ushqimet dhe pijet joalkoolike dhanë kontributin më të madh në inflacionin total, me 0.74 pikë përqindjeje. Çmimet e këtij grupi ishin 2.1 për qind më të larta se një vit më parë.
Transporti kontribuoi me 0.59 pikë përqindjeje në inflacion, grupi “Argëtim, sport dhe kulturë” me 0.55 pikë përqindjeje, ndërsa restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 0.51 pikë përqindjeje.
Në terma mujorë, ushqimet dhe pijet joalkoolike u liruan me 0.9 për qind në gusht, po aq sa veshjet dhe këpucët. Çmimet e pijeve alkoolike dhe duhanit ranë me 0.4 për qind, ndërsa mobiliet dhe pajisjet e shtëpisë me 0.2 për qind. Këto ulje kompensuan pjesërisht rritjen mujore të çmimeve të transportit.
Shqipëria nën mesataren e Bashkimit Europian
Presionet e çmimeve ndryshojnë ndjeshëm sipas kategorive. Veshjet dhe këpucët ishin 2 për qind më të lira se një vit më parë, ndërsa çmimet në grupin e informacionit dhe komunikimit ranë me 1 për qind. Në të kundërt, shërbimi arsimor dhe shërbimet financiare u shtrenjtuan me nga 3.3 për qind, pijet alkoolike dhe duhani me 3.6 për qind dhe shëndeti me 2.1 për qind.
Në krahasimin europian të paraqitur nga INSTAT, Shqipëria, me inflacion të harmonizuar prej 3 për qind, qëndron pak poshtë mesatares së Bashkimit Europian prej 3.2 për qind. Rumania dhe Islanda regjistruan norma mbi 6 për qind, ndërsa Zvicra dhe Suedia kishin norma dukshëm më të ulëta.
IHÇK përdor një metodologji të harmonizuar të Eurostat për të mundësuar krahasimin e ecurisë së çmimeve mes vendeve europiane. Në rastin e Shqipërisë, treguesi përfshin shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit si nga familjet shqiptare, ashtu edhe nga turistët, duke u dalluar nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit, i cili mbetet matësi zyrtar i inflacionit në vend.