FSHZH lidh kontratën 8 mln euro për transformimin e bregdetit të Durrësit
Segmenti nga Ura e Dajlanit te Kavalishenca do të transformohet me plazh të zgjeruar, park linear dhe hapësira rekreative.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) ka njoftuar lidhjen e kontratës me operatorin fitues FUSHA për projektin e transformimit të vijës bregdetare të Durrësit. Kontrata është lidhur me një vlerë prej 782 milionë lekësh pa TVSH, ose rreth 8 milionë euro, për ndërhyrjen që synon transformimin e segmentit nga Ura e Dajlanit deri te Kavalishenca në një hapësirë të re turistike, rekreative dhe urbane.
Tenderi ishte rishpallur nga FSHZH me një fond limit prej 833.2 milionë lekësh, ose rreth 8.5 milionë euro. Projekti zhvillohet në kuadër të fazës së tretë të investimeve për infrastrukturën e tregjeve, hapësirave tregtare dhe zonave model të zhvillimit.
Ndërhyrja shtrihet përgjatë 2.8 kilometrave bregdet
Projekti parashikon ndërhyrje përgjatë një segmenti bregdetar prej rreth 2.8 kilometrash, duke përfshirë zgjerimin e vijës së plazhit deri në 100 metra drejt detit dhe krijimin e hapësirave të reja publike për banorët dhe turistët. Sipas dokumenteve të tenderit, zona e ndërhyrjes shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 544 mijë metrash katrorë, në një nga segmentet me intensitetin më të lartë të përdorimit urban dhe turistik në Durrës.
Plani përfshin ndërtimin e një parku linear të gjelbër, shëtitoreve, zonave multifunksionale dhe infrastrukturës sportive e rekreative. Gjithashtu parashikohet krijimi i të ashtuquajturave “Green Coves”, hapësira të gjelbra që synojnë të krijojnë një lidhje më të mirë mes qytetit dhe detit.
Bare, restorante dhe hapësira të reja për turistët
Në projekt janë parashikuar bare plazhi, restorante, hapësira pushimi, qendra informacioni për turistët, zona pikniku, qendra shëndetësore, parkime për biçikleta dhe platforma për aktivitete tregtare sezonale.
Një pjesë e ndërhyrjes i kushtohet edhe aktiviteteve kulturore dhe sportive. Projekti përfshin amfiteatro në natyrë, fusha tenisi, volejbolli plazhi dhe futbolli, skate park, palestër në ambient të hapur dhe platforma për yoga.
Synohet rritja e ofertës turistike të Durrësit
Sipas dokumenteve të projektit, investimi synon të rrisë ofertën turistike dhe të përmirësojë funksionalisht dhe estetikisht vijën bregdetare të Durrësit. Ndërhyrja parashikon integrimin e zonës së transformuar me infrastrukturën ekzistuese të qytetit dhe me aktivitetet tregtare, rekreative dhe publike.