Secondary Adv

BB: Shqipëria shpenzon mbi nivelin e nevojshëm për ujë e kanalizime, por ujë 24 orë nuk ka

Shqipëria shpenzon 0.88% të PBB-së për sektorin e ujit, nivel më i lartë se vendet e tjera të rajonit.

Shqipëria rezulton ndër rastet e veçanta ku shpenzimet për furnizimin me ujë dhe kanalizimet janë më të larta se niveli që vlerësohet i nevojshëm për arritjen e objektivave deri në vitin 2030, por aksesi i popullsisë në shërbime të menaxhuara në mënyrë të sigurt mbetet relativisht i ulët. Kjo është një nga gjetjet për Shqipërinë në raportin e Bankës Botërore “Funding a Water-Secure Future: An Assessment of Global Public Spending”, një analizë e shpenzimeve publike për sektorin e ujit në nivel global.


Banka Botërore ka krahasuar nivelin e shpenzimeve të vendeve me shkallën e aksesit në ujë dhe kanalizime, për të vlerësuar nëse financimet aktuale janë të mjaftueshme për të arritur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm 6.1 dhe 6.2, që synojnë akses universal në ujë të pijshëm dhe kanalizime të menaxhuara në mënyrë të sigurt deri në vitin 2030.


Shqipëria ndër rastet e veçanta për kanalizimet

Për kanalizimet, analiza përfshin 57 vende dhe i ndan ato sipas nivelit të aksesit dhe nëse shpenzojnë më shumë apo më pak se nevojat e llogaritura. Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve me akses më të ulët se mesatarja globale, por njëkohësisht me shpenzime mbi nivelin e vlerësuar të nevojshëm. Nga 40 vendet me akses të ulët, vetëm Shqipëria, Mali i Zi dhe Peruja ndodheshin në këtë situatë.


Një situatë e ngjashme konstatohet edhe për furnizimin me ujë. Në analizën e 59 vendeve, ku niveli mesatar global i aksesit në ujë të menaxhuar në mënyrë të sigurt ishte rreth 74.3% në vitin 2020, Shqipëria dhe Peruja shpenzonin më shumë se niveli i vlerësuar i nevojshëm, por vazhdonin të kishin akses relativisht të ulët. Në të kundërt, Mali i Zi dhe Bullgaria kombinonin shpenzime të mjaftueshme me akses mbi mesataren.


Shpenzimet e larta nuk garantojnë rezultate më të mira

Banka Botërore vëren se shpenzimet më të larta mund të tregojnë se vendet po financojnë në mënyrë aktive zgjerimin e rrjetit dhe përmirësimin e shërbimeve. Megjithatë, raporti ngre edhe mundësinë që shpenzimet e larta të mos përkthehen proporcionalisht në rezultate për shkak të eficiencës së ulët të investimeve. Sipas raportit, niveli i shpenzimeve nuk është domosdoshmërisht tregues i cilësisë së shërbimit apo i rezultateve të arritura.


Shpenzimet për sektorin e ujit arrijnë në 0.88 për qind të PBB-së

Edhe vlerësimet për peshën e shpenzimeve në ekonomi e veçojnë Shqipërinë në rajon. Banka Botërore përllogarit se shpenzimet totale për sektorin e ujit në Shqipëri arrijnë në rreth 0.88% të PBB-së, nga të cilat 0.73% e PBB-së janë shpenzime kapitale. Vetëm për furnizimin me ujë dhe kanalizimet (WSS), shpenzimet totale vlerësohen në 0.66% të PBB-së, ndërsa investimet kapitale në 0.57% të PBB-së.


Këto nivele janë më të larta se në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor të përfshirë në të njëjtën tabelë. Shpenzimet totale për sektorin e ujit vlerësohen në rreth 0.60% të PBB-së në Malin e Zi, 0.35% në Bosnjë-Hercegovinë, 0.31% në Serbi, 0.23% në Maqedoninë e Veriut dhe vetëm 0.11% në Kosovë.


Një e pesta e fondeve të buxhetuara nuk u ekzekutua

Në periudhën 2009-2020, Shqipëria realizoi mesatarisht rreth 80% të fondeve të buxhetuara për sektorin e ujit, çka nënkupton se rreth një e pesta e fondeve të planifikuara nuk u ekzekutua. Megjithatë, norma e realizimit ishte më e lartë se mesatarja globale prej rreth 72% që raporti llogarit për sektorin e ujit.


Rasti i Shqipërisë tregon se, pavarësisht një niveli relativisht të lartë të shpenzimeve dhe investimeve në raport me ekonominë, aksesi në furnizimin me ujë dhe kanalizimet e menaxhuara në mënyrë të sigurt vazhdon të mbetet relativisht i ulët.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat